Në Siri tashmë ekziston një realitet i ri politik dhe diplomatik. Dhe Siria, me të gjitha elementët e saj etnikë, fetarë dhe sektarë, u përket sirianëve.
Është populli sirian ai që do të vendosë për të ardhmen e vendit të tij.
Jemi të vetëdijshëm se organizata terroriste separatiste vepron me qëllimin për të përfituar nga situata.
Si Turqi, dëshirojmë të bëhet e qartë se nuk do të lejojmë asnjë veprim që rrezikon sigurinë dhe interesat tona kombëtare.
Të gjithë aktorët e përgjegjshëm dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të mbështesin ruajtjen e tërësisë territoriale të Sirisë, pasi kjo është rruga më e dobishme për rajonin tonë.
Tokat siriane janë ngopur me luftë, me gjak dhe me lot.
Vëllezërit dhe motrat tona siriane e meritojnë më shumë se kurrë lirinë, sigurinë dhe jetesën me paqe në atdheun e tyre.
Qëllimi i vetëm i Turqisë është mirëqenia dhe prosperiteti i popullit sirian, pa dallim.
Kur hapëm dyert për vëllezërit tanë që iknin nga masakrat dhe shtypjet, kur zgjatëm dorën për të gjetur një zgjidhje për krizën siriane, qëllimi ynë ishte gjithmonë ky.
Por regjimi i Damaskut nuk arriti kurrë të vlerësonte dorën e zgjatur nga Turqia, as të kuptonte kuptimin e saj.
Ashtu si dje, edhe sot, Turqia qëndron në anën e drejtë të historisë.
Dëshirojmë të shohim një Siri ku mbizotëron paqja dhe harmonia, ku askush nuk përjashtohet, ku të drejtat dhe liritë e askujt nuk shkelen, ku askush nuk i nënshtrohet shtypjes dhe ku identitetet e ndryshme jetojnë pranë njëra-tjetrës në paqe.
Shpresojmë dhe urojmë që në një të ardhme shumë të afërt do të shohim një Siri të tillë.