Nxënës të dashur mirë se vini në Shkollën Shqipe në Zvicër!

SYRI TV
Vaxhid Sejdiu
                                                                                                MËSO SHQIP!
Nxënës të dashur mirë se vini në Shkollën Shqipe në Zvicër!
Tani më besoj se pjesa më e madhe e juaj së bashku me prindërit jeni kthyer në vendet ku jetoni në Zvicër dhe nga nesër fillon Viti i Ri shkollor 2024/25. Dhe ne, të gjithë së bashku, ashtu si vitin e kaluar shkollor nxënës, prindër, mësues… do të vazhdojmë betejën në ruajtjen e gjuhës shqipe, në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën amtare. Kemi shumë punë për të bërë me qëllim që të përfshijmë sa më shumë nxënës në orët mësimore të gjuhës dhe kulturës kombëtare, me qëllim që ju ta mësoni sa më mirë gjuhën shqipe.
Jemi të bindur se ditët në atdhe kanë kaluar shumë shpejt sa që shumica prej jush, bëjnë të njëjtën pyetje, të cilën shpesh ne të rriturit ia parashtrojmë vetes : “A thua a ishim në vendlindje?”.
Por, megjithatë jemi të bindur se tani keni më shumë forcë se në Qershorin që e lamë pas. Bankat shkollore po ju presin dhe mësueset e mësuesit i kanë bërë të gjitha përgatitjet, që ju ta ndjeni veten si në vendlindje.
Mirë se vini!
Edhe sivjet ju presin shkronjat e shqipes, mësimet në lëmin e letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare. Sa shumë keni për të mësuar sepse gjuha shqipe krahasohet me valët e detit. Ashtu si valët e detit që nuk përfundojnë edhe mësimet në gjuhën shqipe nuk përfundojnë kurrë. Prandaj, ju të gjithë duhet të përgatiteni që të “notoni” sa më mirë në valët e saj, sepse nuk ka më keq se kur një fëmijë nuk e njeh gjuhën e nënës – gjuhën amtare. Ju e ndjeni fare mire nganjëherë kur ju mungojnë fjalët dhe se si mundoheni të gjeni rrugëdalje me ndonjë fjalë tjetër për ta treguar kuptimin e mendimit. Por, për të gjitha ka zgjidhje. Prindërit e juaj e kanë për obligim që t`iu regjstrojnë në orët e gjuhës shqipe, kurse ne bashkë me ju të “notojmë” gjatë tërë vitit në dallgët e gjuhës shqipe, dallgë të cilat padyshim se do t`iu pëlqejnë shumë.
Sivjet na kanë ardhur librat me kohë jo vetëm të nivelit të parë por edhe të nivelit të dytë dhe për këtë falënderojmë nga zemra Qendrën e Botimeve për Diasporën!
Dhe fare në fund ju përkujtojmë edhe pse ua kemi thënë vazhdimisht se gjuha e nënës është themel i identitetit kombëtar, ajo mbron flamurin, identitetin, atdheun. Nuk mjafton të thuash jam shqiptar nëse nuk e di edhe gjuhën shqipe.
Ato, duart e juaja, të bukura që për mrekulli e bëjnë shqiponjën, nuk do të kenë kuptim të mjaftueshëm pa njohjen e gjuhës shqipe.
Mirë se vini!