Bashkim Aliu
Me 28.05.2024, në parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u zhvillua seanca konstituive për përbërjen e njëmbëdhjetë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u zhvilluan më 8 maj. Me 76 vota pro dhe 6 kundër si kryetar i Parlamentit u zgjodh deputeti nga koalicioni VLEN, Afrim Gashi. Zgjedhja e një shqiptari në krye të organit ligjvënës, u kundërshtu ashpër nga partia nacionaliste “E Majta”. Nga foltoreja e parlamentit, i cili njihet si “tempull i demokracisë”, para zgjedhjes, kryetari i kësaj partie mbajti një fjalim me diskurs ksenofob, që nxori në pah urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.
Sjelljet, veprimet dhe vokabullari skajshmërisht diskriminues i disa eksponentëve partiakë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e që në mënyrë më flagrante manifestohet përmes foltores së parlamentit të RMV-së dhe mediuemeve të tjera publike nga partia “Levica” (E Majta) dhe nga kryetari i saj Dimitar Apasiev, flasin për një urrejtje patologjike kundër avansimit të të drejtave të shqiptarëve autoktonë, që akoma vazhdon të kultivohet në mendjet dhe shpirtërat e disa palëve në këtë vend.
Kjo u shpreh pa ekuivoke dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kryetari i “Levicës”, Dimçeja, i cili u tregua aq i frustruar nga zgjedhja e kryetarit të parlamentit të RMV-së, sa që nga foltoreja e parlementit, nga nocioni “albanizacija” (shqiptarizimi) i institucioneve dhe politikës në RMV, që jo rrallëherë dëgjohet si në parlament ashtu edhe në diskursin publik nga eksponentë partishë politike, po edhe udhëheqës institucionesh akademike në RMV, kaloi në nocionin e ri, gjegjësisht e përdori fjalën “kosovarizacija” (Kosovarizim), duke aluduar se kryetari i zgjedhur i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, është me origjinë nga Kosova, me çka, sipas tij, tash i kanoset Maqedonisë së Veriut rreziku nga kosovarizimi.
Nga diskursi politik dhe publik i disa eksponentëve politikë në RMV, del në pah kriza e thellë që vazhdon ta përshkojë një shtresë të caktuar intelektualësh dhe politikanësh në RMV, të cilët edhe përskaj jetesës në dy sisteme të ndryshme, gjegjësisht atë socialist para viteve të nëntëdhjeta, dhe në demokraci pas viteve të nëntëdhjeta, dhe në veçanti, në realitetin e ri të krijuar pas vitit 2001, e kanë vështirë t’i pranojnë shqiptarët si të barabartë, dhe Maqedoninë e Veriut si shtet të përbashkët e të barabartë mes dy entiteve shumicë: etnisë maqedone me origjinë sllave, dhe etnisë autoktone shqiptare me origjinë ilire. Kjo flet se një prej problemeve më të mëdha socio-kulturore të klasës politike të Maqedonisë së Veriut, dhe të ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, si pjesë e Federatës Jugosllave, është përceptimi i shqiptarit si i barabartë, dhe nga kjo perspektivë, shumë shpirtëra të trazuar nga nacionalizmi dhe racizmi, vazhdojnë të vuajnë nga ndryshimi i imazhit të shqiptarit, nga ai i hamallit dhe sharaxhiut në ish Jugosllavinë socialiste, në atë të burrështetasit, akademikut, profesorit universitar, politikanit dhe intelektualit në kohën e sotme.
Dimçeja dhe “Levica” e tij thirren se janë trashëgimtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, parizanëve që kanë luftuar kundër Gjermanisë naziste, trashëgimisë politike të Josip Broz Titos të cilit i janë falënderues pa masë për shkak se e organizoi popullin maqedonas në entitet shtetëror në kuadër të Federatës Jugosllave, dhe kjo dashuri e pa shterrur ndaj ish sistemit, ka bërë që ata të vazhdojnë të vuajnë nga sindromet e tij. Jugosllavia e Titos dhe e partizanëve, i deshi shqiptarët si hamallë dhe pastrues oxhaqesh, por jo si akademikë dhe intelektualë. Ata që etabloheshin si të tillë në opinion dhe që luftonin për platformë të qartë për çështjen shqiptare në ish Federatën Jugosllave, kualifikoheshin si të papërshtatshëm për sistemin, irredentistë dhe separatistë, dhe mbaronin nëpër burgjet famëkeqe të Jugosllavisë së AVNOJ-it, e disa edhe eliminoheshin pa gjyq. Ky sindrom e ndjek edhe Dimçen dhe shumë të tjerë të cilëve u duket se është bërë kijameti që shqiptari ulet në krye të parlamentit të shtetit. Nga ky këndvështrim, tipat e këtillë promovohen si trashëgimtarë të ish partisë komuniste të Jugosllvisë dhe luftës së partizanëve. Bile, Dimçeja para një kohe, shkoi dhe bëri homazhe te varri i ish diktatorit Enver Hoxha. Mbase, nuk është lehtë të jep vlerësim për këtë gjest se a është bërë për motive ideologjike, apo për shkak të urrejtjes patologjike kundër shqiptarëve, sa që mllefin e shpreh edhe duke i bërë homazhe njeriut që aq tepër e dhunoi një popull të tërë?!
Shikuar nga një këndvështrim tjetër, Dimçeja dhe bashkëmendimtarët e tij u ngjajnë atyre kundër të cilëve kanë luftuar partizanët dhe komunistët jugosllavë, gjegjësisht nazistëve gjermanë të Hitlerit. Shumë vetë kanë një përceptim të gabuar për Hitlerin si djathtist, ndërkaq në fakt, ai i ka takuar ekstremit të majtë, dhe partia e tij është quajtur “Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei ” (Partia Gjermane Nacional Socialiste e Punëtorëve) . Nga ky aspekt Dimçeja dhe bashkëmendimtarët e tij i takojnë të njejtit brum ideologjik si nazistët, dhe vuajnë nga i njejti sindrom: Ksenofobia dhe urrejtja e tjetrit të ndryshëm. Ta duash vetëm racën, gjegjësisht vetëm xhinsin e miletin tënd, e t’i urrejshë të tjerët, është puro nazizëm, dhe diskursi që prodhohet nga kjo bindje është diskurs nazist. Së këndejmi, nuk ka se si të kaulifikohet ndryshe reagimi primitiv i Dimçes me rastin e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit në RMV me 28.05.2024, përpos si nazizëm dhe urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, ngase ai nuk e kontestoi kryetarin e parlamentit për shkak të kompetencës së tij për të qenë në atë pozitë, por për atë pse është shqiptar. Dimçeja e shpalosi edhe njëherë qëndrimin e subjektit që drejton se nuk do të mbështesin kandidatin shqiptar për kryetar të Kuvendit. Ai madje i ofroi mbështetje pa kushte kreut të VMRO-DPMNE-së që «vetëm e vetëm të mos kosovarizohet sërish Parlamenti i Maqedonisë». Ai u shpreh:»Ne do të japim mbështetje që të mos jetë kryetari i ardhshëm i Kuvendit shqiptar, ja hapur i bëjmë thirrje Mickoskit që do ta mbështesim pa kushte, vetëm e vetëm që të mos kosovarizohet sërish Parlamenti i Maqedonisë” (Shkup: Konstituohet parlamenti i ri me kryetar Afrim Gashin – DW – 29/05/2024).
Kur jemi te kosovarizimi që e përmendi Dimçeja i “Levicës”, më duhet të rikthejë në memorjen e lexuesit thënien e njohur në ish Jugosllavinë socialiste: “Trepça radi, Beograd se gradi” (Trepça punon, e Beogradi ndërtohet). Kjo, realisht, nuk ka vlejtur vetëm për Beogradin, por për të gjithë republikat e ish Jugosllavisë. Me pasuritë natyrore të Trepçës janë ndërtuar shumë institucione nëpër ish Jugosllavi, e më së paku në Kosovë. Pasuria e Trepçës, me siguri ka participuar edhe në ndërtimin e godinës së kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë, e që e njejta sot është godinë e parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Për atë, jo ata që kanë lindur në RMV, por nëse sillej ndonjë shqiptar nga Repulika e Kosovës, që nuk ka shtetësi të RMV-së, dhe zgjidhej kryetar parlamenti, do të kishte të drejtë, pasi do të ishte në hisen e vet. Këtë, do të duhej ta kupojë Dimçeja dhe leviçarët e tjerë albanofobë.