Haxhi Krasniqi takohet me kreun e FFK-së, Agim Ademi, e falënderon për mundësinë që ia dha

Admin

 

Haxhi Krasniqi është pritur sot nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me të cilin kanë diskutuar rreth meçit të 5 gushtit, të cilin ish-kampioni i botës në boksin profesionist do ta mbajë në Prishtinë.

Boksieri me nënshtetësi gjermane ndihet i lumtur që do t’i realizohet ëndrra për të boksuar në vendin ku i fle zemra, por edhe që do ta ketë mundësinë t’ua realizojë ëndrrën fansave të tij për ta parë një meç të tij nga afër.

 

Ndërkohë, Krasniqi e falënderoi presidentin Ademi për mikpritjen, ndërsa e lavdëroi atë për punën që po e bën.

 

“Faleminderit kryetar Agim Ademi që i dhe drejtim jetësimit të ëndrrës sime, që më 5 gusht ta organizoj ndeshjen time të boksit në stadiumin e Prishtinës ‘Fadil Vokrri’. Je shembulli më i mirë i jetësimit të ëndrrave të shumë të rinjve dhe të rejave të vendit tonë. Është me fat Kosova dhe Federata që të kemi”, ka shkruar boksieri junikas në rrjetet sociale.

 

Haxhi Krasniqi e synon ngritjen në karrierë dhe do të provojë që të shpallet përsëri kampion i botës në boksin profesionist.

 

Nga ana tjetër i pari i FFK-së e falënderoi Krasniqin për vizitën dhe për vendimin që Kosova të jetë vendi ku ai do ta zhvillojë një meç boksi me kaq rëndësi, derisa ia ofroi edhe përkrahjen e tij.

 

Presidenti Ademi e nderoi Krasniqin me fanellën e Kosovës si dhe simbolin e Prishtinës “Hyjneshën në Fron”.