Një fukara e pyeti një plak të mençur:
O plak, po thonë se je i ditur. A mund të më thuash edhe sa do të jem kështu fukara?
Plaku e pa drejt në sy dhe i tha:
Edhe tri vjet dhe vazhdoi rrugën!
Fukaraja u gëzua, u habit dhe fillon të vrapoj pas tij.
Ore Plak:Po pastaj? Çfarë bëhet pastaj?
Plaku buzëqeshi me atë qetësinë që e kanë vetëm ata që kanë parë shumë, ju përgjigj shpejt, shkurt e shqip!
Pastaj… mësohesh dhe iku!
Kjo përgjigje dikur dukej si shaka. Sot tingëllon si status institucional.
Dikur numëronim afatet kushtetuese pas zgjedhjeve!
Dinim kur fillonte seanca e Avniut,besa edhe kur do të mbaronte, dinim sa ditë kishte afat zgjedhja e Presidentit-es!,sa javë Kuvendi, sa afat kishte ky apo ai institucion. Kushtetuta lexohej më shpesh se parashikimi i motit.
E pastaj, çka ndodhi pastaj?
Pastaj erdhën zgjedhjet njëra pas tjetrës dhe… u mësuam!.
Prisnim marrëveshje. Prisnim institucione.
Tash nuk pyet kush!
Sot nuk presim më. Jemi bërë popull “në detyrë”.
Presidente në detyrë.
Kryeministër në detyrë.
Ministra në detyrë.
Drejtorë në detyrë.
Shefa në detyrë.
Madje edhe durimi i qytetarëve është në detyrë.
Debatet janë bërë si serialet që përsërisin të njëjtin episod çdo mbrëmje. Të gjithë flasin për përgjegjësi, por askush nuk e merr përgjegjësinë. Të gjithë flasin për urgjencë, por askush nuk nxiton. Sikur koha të ishte pezulluar me vendim poashtu në detyrë!
Në Kosovë duket se “në detyrë” nuk është më status i përkohshëm. Është bërë mënyrë e re qeverisjeje.
Ndoshta një ditë do të kemi edhe qytetarë “në detyrë”, që paguajnë taksa në detyrë, presin drejtësi në detyrë dhe ëndërrojnë zhvillim në detyrë.
Plaku i mençur kishte të drejtë.
Njeriu po u mësojka!!!
Dhe,kur populli mësohet me të përkohshmen, ajo fillon të sillet sikur është e përhershme dhe nuk i bënë përshtypje madje edhe as fukarallaku!!!
25.07.2026
S.Sefa CH