VOLTERI PËR SKENDERBEUN KAPITULLI XC

SYRI TV
VOLTERI PËR SKENDERBEUN !
François-Marie Arouet që më pas u quajt «Dë Volter» ose Volteri, u lind më 21 nëntor 1694 dhe vdiq 30 Maj 1778
KAPITULLI XC – PËR SKENDERBEUN
(faqe 814-815)
«Një luftëtar tjetër i famshëm, të cilin nuk di si ta quaj, osmanli apo të krishter, pengoi përparimin e Muratit dhe prej kohësh u bë ledhi i të krishterëve kundër fitoreve të Muhametit II: flas për Skenderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e Epirit, vend i shquar që nga kohët e quajtura heroike, dhe nga kohët vërtet historike Romake. Emri i tij ishte Jean (Gjergj) Kastriot. Ishte djali i një despoti, ose i një gospodari (princi) të këtij vendi, domethënë i një princi vassal; sepse fjalë për fjalë despot do të thotë zot shtëpie; madje është paksa e habitshme, se si kjo fjalë prej kohësh e ndryshoi kuptimin në despotik, çka u vishet sundimtarëve që bëhen absolutë.
Gjergj Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati, shumë kohë përpara betejës së Varnës, për të cilën do të flas, u mor prej Shqipërisë, pas vdekjes së atit të tij Kastriot. Ai e rriti këtë fëmijë, i vetmi që mbeti nga katër vëllezërit. Analet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u therorizuan prej Muratit për hakmarrje. Nuk është për t’u habitur që mizori të tilla ishin në karakterin e një sulltani që abdikoi dy herë kurorën dhe nuk ka të ngjarë që Murati t’i kushtonte dhembshuri dhe besimin e tij atij për të cilin ushqente një mëri të paqetësueshme. Ai e sajdiste atë dhe e mbante pranë tij gjatë betejave. Gjergj Kastrioti u dallua aq tepër sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh, (le seigneur Alexander).
Së fundi miqësia fitoi mbi politikën. Murati i besoi komandën e një ushtrie kundër despotit të Serbisë, që ishte radhitur me të krishterët duke i shpallur luftë sulltanit, dhëndërrit të tij; kjo përpara abdikimit të tij. Skenderbeu që në atë kohë s’ishte veçse njëzet vjeçar, shestoi planin të mos kishte më zot mbi kokë dhe të mbretëronte. Qëlloi të kalonte pranë fushimit të tij sekretari që mbante vulën e sulltanit. Ai e ndaloi, i vuri hekurat dhe e shtrëngoi të shkruante e të vuloste një urdhër për sundimtarin e Krujës, kryeqytet i Epirit, që t’ia dorëzonte qytetin dhe kështjellën Skenderbeut. Pasi siguroi urdhërin, e vrau sekretarin dhe suitën e tij. (1443) Marshoi mbi Krujë; sundimtari ia lëshoi postin pa vështirësi. Po atë natë ai u tha trupave shqiptare me të cilët mbante lidhje të fshehta, të afroheshin.
Sundimtarin dhe garnizonin e theri. Me luftëtarët e vet ai e fitoi gjithë Shqipërinë. Shqiptarët mbahen si luftëtarët më të mirë të këtij vendi. Skënderbeu i udhëhoqi me zotësi dhe diti të krijonte avantazhe nga terreni i thyer dhe malor, aq sa me pak trupa ia doli të ndalonte çdo herë ushtritë e shumta turke. Myslimanët e shihnin si besëthyes; të krishterët e adhuronin si hero, i cili duke mashtruar armiqtë dhe zotërit e tij, rimori kurorën e babait të vet, çka e meritoi me guximin e tij.
Nëse perandorët byzantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur»
*Një portret kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut me autor shkrimtarin, filozofin, dijetarin, humoristin dhe enciklopedistin francez, François Voltaire… Scanderbeg portrait gravé circa 1660
(E përktheu nga frëngjishtja Naum Prifti)