Falja e Bajramit të Fitrit në Pilatus Arena – pjesëmarrje e madhe dhe atmosferë e jashtëzakonshme në organizimin e xhamisë “Drita”

SYRI TV

Fjalim i fuqishëm, mesazh fetar-kombëtar dhe urime të ngrohta mes besimtarëve

Besimtarët myslimanë në Zvicër u mblodhën sot në mëngjes në Pilatus Arena në Kriens, ku u zhvillua falja e Bajramit të Fitrit nën organizimin e xhamisë “Drita”. Pjesëmarrja ishte shumë e madhe, duke mbushur të gjithë sallën sportive të përgatitur posaçërisht për këtë ditë të shënuar.

Programi nisi herët me mukabele, namazin e sabahut dhe më pas me ilahi e lexim të Kuranit nga Menduh Allajbeg. Ligjërata e Bajramit u mbajt nga hoxha i nderuar Enes Limani, i cili mbajti një fjalim të fuqishëm me mesazh të thellë fetar dhe kombëtar, duke theksuar vlerat e faljes, mirësisë, unitetit dhe përgjegjësisë që besimtari bart në shoqëri.

Në orën 07:09, besimtarët falën namazin e Bajramit të Fitrit në një atmosferë të qetë dhe të rregullt. Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime të ngrohta, përqafime dhe lutje për paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.

Organizimi u vlerësua nga të gjithë pjesëmarrësit: vullnetarët e xhamisë ndihmuan në orientimin e besimtarëve, ndërsa kryesia kishte siguruar paraprakisht udhëzime të qarta për parkimin dhe sjelljen e sexhadeve personale, duke e bërë të gjithë procesin të rrjedhshëm dhe të rregullt.

Nga të gjitha anët pati falënderime për organizimin, përkushtimin dhe mikpritjen e xhamisë “Drita”, e cila edhe këtë vit dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi dhe kujdesi për komunitetin.

Pamjet, fjalimet dhe intervista e shkurtër me hoxhën Enes Limani do të transmetohen nga TV Syri sapo të jenë gati për publikim.

Foto galeri nga falja e namazit të Bajramit