Në mbrëmjen e së premtes, Forumi Rinor i Xhamisë “Uniteti” në Ebikon organizoi panelin fetaro–shkencor me temën “Agjërimi: Perspektiva Mjekësore dhe Islame”, një aktivitet që bashkoi profesionistë të shëndetit, studiues të fesë dhe anëtarë të komunitetit në një diskutim të hapur dhe të dobishëm për publikun.
Programi i mbrëmjes nisi në orën 18:30 me një iftar të përbashkët, ku pjesëmarrësit ndanë atmosferën e ngrohtë të Ramazanit.

Në orën 19:30 filloi paneli fetaro–shkencor, ndërsa mbrëmja u përmbyll me shpërndarjen e mirënjohjeve dhe në fund faljen e namazit të terapive.

Paneli u moderua nga Ensar Shaqiri, magjistër në psikologji dhe religjion, i cili udhëhoqi bisedën me qartësi dhe ritëm profesional.
Në panel morën pjesë tre ligjërues kryesorë:
– Prof. Dr. med. Florim Cuculi, kardiolog dhe shef i kardiologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit (Luzerner Kantonsspital), i cili shpjegoi ndikimin e agjërimit në sistemin kardiovaskular dhe solli shembuj nga praktika klinike.

– Prof. Dr. Xhavit Lipaj, drejtues i Qendrës së Kujdesit Urnensee (Pflegezentrum Urnensee), që foli për efektet e agjërimit në funksionet njohëse dhe mirëqenien e të moshuarve.
– Hoxhë Halil Avdulli, i diplomuar në Shkencat Islame në Sanaa, i cili trajtoi dimensionin shpirtëror dhe etik të agjërimit, duke theksuar rolin e tij në disiplinën dhe vetëpërmirësimin e besimtarit.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe personalitete të njohura të komunitetit shqiptar në Zvicër:
– Rexhep Demiri, ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë.
– Visar Robelli, kryetar i Rrjetit të Bizneseve në Zvicrën Qendrore, i njohur për angazhimin e tij në mbështetjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve shqiptare.
– Florim Huseini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, një platformë që promovon bashkëpunimin dhe lidhjen mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër.
Pjesëmarrësit patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të marrin këshilla praktike si nga aspekti shëndetësor, ashtu edhe nga ai fetar. Organizatorët vlerësuan interesimin e madh dhe theksuan se qëllimi i panelit ishte të ofronte informacion të balancuar, të besueshëm dhe të dobishëm për komunitetin, sidomos gjatë muajit të Ramazanit.
TV SYRI ishte i pranishëm gjatë gjithë programit, duke ndjekur panelin dhe atmosferën e mbrëmjes. Ekipi realizoi pamje, intervista dhe momente kyçe të aktivitetit, të cilat së shpejti do të transmetohen në ekranin e TV Syri, ndërsa pjesë të shkëputura do të publikohen në rrjetet sociale të televizionit. Gjithashtu, e gjithë tribuna do të publikohet në kanalin zyrtar në YouTube të Syri TV.
Fotografitë e mbrëmjes u realizuan nga Daut Luboja, fotograf dhe kameraman i viteve të hershme në Zvicër, i cili me përkushtim kontribuoi në dokumentimin e aktivitetit.
Forumi Rinor i Xhamisë “Uniteti” paralajmëroi se aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin për të sjellë tema me interes publik dhe për të forcuar lidhjen mes komunitetit dhe dijes profesionale.

Fotogaleri nga mbrëmja në Ebikon


