Komuniteti shqiptar në Zürich ka një zë të fuqishëm në kandidaturën e Përparim Avdilit

Syri

Komuniteti shqiptar në Zvicër vazhdon të dëshmojë çdo ditë se është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane, duke kontribuar me punë, integrim dhe sukses në të gjitha fushat. Në këtë realitet të konsoliduar, figura të reja po marrin përgjegjësi të rëndësishme publike, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin tonë.

Një prej tyre është Përparim Avdili, kandidat i FDP.The Liberals për zgjedhjet e 8 marsit në qytetin e Zürich-ut. Avdili prej vitesh është i angazhuar në jetën politike dhe shoqërore të qytetit, duke u bërë shembull i integrimit dhe i përkushtimit ndaj interesit publik.

Mbështetja e Feti Demollit

Në këtë proces zgjedhor, mbështetja e figurave të njohura të komunitetit shqiptar ka një peshë të veçantë.

Feti Demolli, Kryetar i Unionit të Klubeve Futbollit Shqiptare në Zvicër, ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për kandidaturën e Avdilit, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të denjë në institucionet zvicerane.

Për një prononcim për Syri.tv, Feti Demolli ndër të tjera u shpreh:

“Si Kryetar i Unionit të Klubeve Futbollistike Shqiptare në Zvicër, shpreh mbështetjen time për Përparim Avdilin dhe ftoj të gjithë shqiptarët në kantonin Zürich ta përkrahin në zgjedhjet e 8 marsit.”

Ai shton se komuniteti shqiptar në Zürich ka dhënë prova të qarta të integrimit dhe kontributit të tij, ndërsa kandidatura e Avdilit është një vazhdimësi e këtij rrugëtimi.

Një shembull i integrimit dhe përkushtimit

Përparim Avdili është vlerësuar shpesh si një prej figurave të reja që përfaqësojnë me dinjitet komunitetin shqiptar në Zvicër. Angazhimi i tij politik dhe shoqëror shihet si një model i integrimit aktiv dhe i pjesëmarrjes së përgjegjshme në jetën publike.

“Përparim Avdili është një shembull i këtij kontributi – një zë i denjë që përfaqëson integrimin dhe të ardhmen tonë në qytetin ku jetojmë,” thekson më tej Feti Demolli.

Thirrja për pjesëmarrje

Në përfundim, Demolli u bën thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në kantonin Zürich që të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 marsit dhe të mbështesin kandidaturën e Avdilit.

“Më 8 mars, ta mbështesim këtë rrugëtim. Suksese Përparimit!” përmbyll ai.