Takim kortezie në Bernë Ambasadori Latifi pret ambasadorin e ri të Shqipërisë Ermal Dredha

Syri

Bernë, Zvicër — Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ka pritur në një takim kortezie ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha, me rastin e marrjes së detyrës së tij diplomatike.

Gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i ngushtë mes dy shteteve, si dhe përkushtimi i përbashkët për t’i shërbyer dhe mbështetur diasporën shqiptare në Zvicër, e cila përbën një komunitet të fuqishëm, të organizuar dhe me ndikim të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit pritës.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Bernë, atmosfera e takimit ishte miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar marrëdhëniet e qëndrueshme dhe historike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të dy ambasadorët shprehën gatishmërinë për të thelluar koordinimin institucional dhe për të forcuar prezencën e përbashkët diplomatike në funksion të interesave të qytetarëve.

Takimi shënon fillimin e bashkëpunimit zyrtar mes dy diplomatëve në Bernë, në një kohë kur diaspora shqiptare në Zvicër vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve.