“Koftë mirë e veç marë e mirë shkoft ky ven”, ishin fjalët e para të Nanës Qamë sapo hyri në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih

SYRI TV

Të dashur miq,
Sot kisha një nder të jashtëzakonshëm të pres një grua që për kombin tonë përfaqëson forcën, sakrificën dhe madhështinë më të pastër njerëzore – Nënën Qamë (Qamile Rexha – Zhitia), nënën e Heroit të Kombit, Afrim Zhitia.
Takime si kjo, janë kujtesë e gjallë se liria që e gëzojmë sot është e larë me gjak, dhimbje dhe sakrifica të mëdha. Na rikujtojnë se pas çdo heroi qëndron një nanë e fortë, një zemër e thyer, por krenare, një grua që ka ditur ta japë gjithçka, madje edhe më të shtrenjtin e saj për atdheun.
Nënat shqiptare kurrë nuk janë trembur. Ato nuk kanë kursyer asgjë nga vetja, sepse kur ka qenë në pyetje liria, dinjiteti dhe kombi, kanë ditur të qëndrojnë të palëkundura, me kokën lart.
Afrim Zhitia mbetet përjetësisht simbol i atdhedashurisë, i guximit dhe i sakrificës sublime, një frymëzim i pashuar për breza të tërë. Ndërsa Nëna Qamile qëndron sot ashtu siç kanë qëndruar gjithmonë nënat e dëshmorëve, krenare, e fortë dhe fisnike.
Faleminderit, Nëna Qamë!
Republika jonë do t’ju jetë gjithmonë mirënjohëse!