Cyrih, 15 janar 2026 — Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka publikuar një deklaratë zyrtare pas lajmeve të qarkulluara në disa media lidhur me nisjen e një procesi gjyqësor ndaj një personi të cilësuar si “imam shqiptar”. Sipas komunitetit, etiketime të tilla janë të pavërteta dhe dëmtojnë padrejtësisht imazhin e institucioneve fetare shqiptare në Zvicër.

Në reagimin e tyre, KMSHZ thekson se personi i përmendur në raportime nuk ka asnjë lidhje institucionale apo funksionale me komunitetin:
> “Personi në fjalë nuk është imam i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, nuk mban asnjë funksion fetar në strukturat tona dhe nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër. Çdo lidhje e tij me institucionet tona fetare është e pavërtetë dhe e pasaktë.”
Komuniteti nënvizon se distancohet plotësisht nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe se parimet mbi të cilat funksionon janë të bazuara në ndershmëri, përgjegjësi morale dhe respektim të ligjit zviceran. Përmes deklaratës, KMSHZ i bën thirrje mediave që të tregojnë kujdes në raportim, duke shmangur keqinterpretimet që mund të krijojnë perceptime të rreme ndaj komunitetit musliman shqiptar.
> “Ftojmë mediat që në raportimet e tyre të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime apo dëmtohet padrejtësisht imazhi i komunitetit musliman shqiptar, i cili prej dekadash kontribuon pozitivisht në shoqërinë zvicerane.”
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër është një prej organizatave më të konsoliduara të diasporës shqiptare, me një rol të rëndësishëm në jetën fetare, kulturore dhe sociale të mijëra besimtarëve. Përfaqësuesit e tij theksojnë se do të vazhdojnë të mbrojnë integritetin e komunitetit dhe të reagojnë ndaj çdo keqinformimi që prek reputacion in e tyre.