“Kur vota e diasporës bëhet instrument i përgjegjësisë,partitë politike nuk kan më luksin të sillen si te paprekshme.”
Mërgata shqiptare, e përbërë nga qindra mijëra profesionistë, punëtorë, intelektualë dhe familjarë të shpërndarë nëpër botë, ka kohë që e mban shtetin në këmbë me remitenca, me kapital njerëzor dhe me kontribut të pareshtur kulturor.
Por në të njëjtën kohë, kjo mërgatë trajtohet nga klasa politike me një neglizhencë të pafalshme – sikur të ishte një spektatore e heshtur, jo një forcë politike që numëron dhjetëra mijëra vota vendimtare në çdo cikël zgjedhor.
Është fyese dhe intelektualisht e papranueshme që një klasë politike e pa përgjegjësi, e cila ka dështuar të ndërtojë institucione funksionale dhe ka humbur besimin e një popullsie të tërë brenda vendit, të pretendojë ende votën e mërgatës ndërkohë që nuk i ofron as respekt, as transparencë, as vizion. Mërgata nuk është më ajo që mund të manipulohet me retorikë folklorike apo premtime të konsumuar.
Ajo është e arsimuar, e ekspozuar ndaj shteteve të së drejtës, e mësuar me standarde, me llogaridhënie, me meritokraci – koncepte që klasa jonë politike i përmend vetëm gjatë fushatave, por i harron po atë ditë që mbyllen kutitë e votimit. Është koha që mërgata ta thotë me zë të lartë dhe pa kompromis: ne nuk do të anojmë më kah papërgjegjshmëria politike.
Ne nuk do të mbështesim më figura që nuk mbajnë përgjegjësi, nuk qeverisin me ligj dhe nuk e respektojnë inteligjencën e votuesit. Pesha jonë elektorale nuk është simbolike – ajo është determinante. Në zgjedhjet e fundit, vota e mërgatës ka qenë shpesh vendimtare për balancat politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, mërgata nuk duhet të jetë më një numër, por një kriter.
Ne nuk i detyrohemi asnjë partie; i detyrohemi vetëm së vërtetës, moralit dhe të ardhmes së vendit.
Ndryshimi nuk vjen nga servilizmi ndaj politikës, por nga pozicioni i palëkundur ndaj vlerave: sundimi i ligjit, integriteti, llogaridhënia dhe profesionalizmi.
Kush nuk i përmbush këto standarde, nuk meriton votën e mërgatës – aq më pak respektin e saj. Mërgata nuk është më një diasporë që sheh nga larg. Ajo është një fuqi politike, morale dhe intelektuale që kërkon me të drejtë një shtet të ndërtuar mbi përgjegjësi, jo mbi dështim të institucionalizuar.
Vota e saj është e çmuar, e pjekur dhe e papërkulshme. Dhe është koha që politika të kuptojë se kjo votë nuk blihet, nuk përdoret dhe nuk neglizhohet.
Mërgata do të anojë vetëm kah ndryshimi i vërtetë – dhe kush nuk është gati për këtë ndryshim, le ta dijë se koha e tij ka përfunduar. Asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara kur distanca mes përgjegjësisë politike dhe moralit publik rritet; në këtë boshllëk lind roli historik i diasporës si korrektor i sistemit. “Siç do të thoshte Tocqueville, forca e një demokracie matet me gatishmërinë e qytetarëve për të kundërshtuar padrejtësinë. Në rastin tonë, kjo forcë sot qëndron te mërgata.Dhe atje ku mungon përgjegjësia, diaspora bëhet veto morale.”
Dr.Shaqir Shala Solothurn; 09.11.2025.