Dhjetë vite para luftës, kam jetuar dhe vepruar në Zvicër.
Edhe pse refugjat politik, kurrë nuk kam jetuar nga ndihmat e shtetit, por kam punuar deri në ditën që jam nisur për luftë, në maj të vitit 1998. Para meje në Zvicër nga vitet ‘70-të, kanë punuar edhe babai im dhe axha im, ndërsa nga viti 1981 edhe vëllau im i madh, do me thënë si familje kemi qenë familje e pasur për kohën.
Para luftës dhe gjatë luftës si familje dhe unë personalisht kemi dhënë shumë për Kosovën, ndihma humanitare, por edhe për krijimin e UÇK-së në Fondin “ VENDLINDJA THËRRET”.
Në luftë kam shkuar duke pasur një bazë të mirë materiale familjare.
Gjatë luftës, shtëpia e babait tim për muaj të tërë ka qenë bazë e UÇK-së në ZO të Nerodimes. Në fund të luftës, gjithë çka kishim krijuar si familje ishte djegur dhe lirinë e kemi përjetuar në kushte të rënda të banimit në tenda, sikur shumica e popullit!
Unë dhe vëllau im që ishim luftëtar, u kthyem në shtëpi, pa asnjë cent më xhep, të lumtur që sollëm lirinë dhe që ishim gjallë!
Kështu kthehen në shtëpi të gjithë idealistët që për ideal kanë pasur çlirimin e atdheut, e jo pasurimin e vetes dhe të familjes së tyre!
Ata më trimat, nuk kthehen asnjëherë, sepse bien dëshmorë dhe i takojnë përjetësisë!
Fatkeqësisht në mesin e luftëtarëve është edhe një kategori tjetër, të cilët futen në luftë të varfur, me zhele e pa bukë në votër, por kur përfundon lufta kthehen më shtëpi me miliona më xhep. Të tillët quhen profiter të luftës, mercenarë dhe hajna.
Ata luftëtar që janë futur në UÇK pa asnjë cent më xhep dhe janë kthyer në shtëpi me miliona, ose kanë bërë ndonjë krim dhe janë shpërblyer, ose i kanë vjedhur fondet e luftës, pra i kanë vjedhur barotin bashkëluftëtarëve!
Njoh shumë të tillë, edhe nga radhët e LPK-së, të cilët ishin të varfur, të cilët si refugjat në Europë nuk kishin punuar asnjë ditë të vetme dhe sot janë milioner e kanë biznese të mëdha.
Njoh edhe luftëtar të UÇK-së( fatmirësisht nuk janë shumë!), të cilët nuk kishin as rroba në trup, ndërsa sot janë milioner, shumica e tyre siç thotë FANONI, u bënë shokë me ish-bashkëpunëtorët e armikit dhe u pasuruan.
Të dy këto kategori milionerësh e kanë tradhëtuar idealin për çka janë betuar, kanë shkelur mbi gjakun e shokëve të rënë më beteja, të cilët ranë me bindje se pas luftës, populli do ta gëzojë lirinë, ndërsa luftëtarët do të jenë shenjëtorët e asaj lirie!
Njoh edhe shumë bashkëluftëtar idealist, të cilët pasi përfundoi lufta, u kthyen në shtëpitë e tyre dhe jetojnë në kushte minimale jetese, ose që janë detyruar të mërgojnë si puna ime, për të mbajtur familjen, e për të ruajtur nderin dhe idealin e luftëtarit të UÇK-së!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Nderim luftëtarëve që kanë ruajtur idealin!
Rroftë populli shqiptar, i bashkuar në një shtet të vetëm- SHQIPËRI!
– Metush Zenuni- Luftëtar, njëri nga themeluesit e UÇK-së!
12 nëntor 2025,
Zvicër