Shkruar nga Hava Kurti Krasniqi
Vitin e kaluar, në bibliotekën Pestalozzi në Hardau, aty ku drejtoresha është e jona – Suela Jorgaqi – e që na mbledh si në shtëpinë e vet, takova një grua që nuk e njihja. Ajo ishte ulur pranë tavolinës dhe më tregoi se ishte në pension. I thashë: “Shumë mirë.” Por ajo ma ktheu me një zë të qetë: “Është vështirë me ia dalë me pension.”
Shikimi i saj më mbeti në mendje. Po të isha skulptore, do ta gdhendja atë shikim.
Meqë nuk jam skulptore, vendosa të bëj diçka për pleqt – për gjeneratën më flijuese shqiptare. Ata që punuan pa e ditur gjuhën, që menduan më shumë për Atdheun sesa për veten.
Duke qenë se një pjesë e punës sime lidhet me shërbimet sociale dhe ligjet për shëndetin në Cyrih, pyeta zonjën Hofmann – drejtuesen e zyrës për të moshuarit – nëse mund të organizonim një takim informativ për shqiptarët. Pas miratimit nga kryesia, filluam të mendonim për vendin e mbajtjes.
Vendosa të pyes Konsullatën e Kosovës. E dija që kanë shumë aktivitete, por ky takim duhej të mbahej aty – për shkak të besimit që komuniteti ka ndaj saj.
Falënderoj nga zemra drejtuesin e Konsullatës, z. Vigan Berisha, që e bëri këtë takim realitet.
Fjalimi i tij i mirëseardhjes ishte jashtëzakonisht prekës:
“Jeni në shtëpinë tuaj. Për çdo pyetje, mos hezitoni. Ejani, është shtëpia juaj. Ju jeni ata që e keni ndërtuar.”
Këto fjalë sollën emocion në sallë. E pranishme ishte edhe ajo zonja që e pata takuar në bibliotekë.
Ligjërata informuese u mbajt nga zonja Halime Maliqi – profesioniste shqiptare e gjeneratës së dytë pranë Fachstelle Zürich im Alter.
U diskutuan tema si pensionimi, shtesat financiare, përfitimet, qëndrimi në Atdhe dhe mbështetjet e ndryshme. U hapën edhe tematika të reja.
Sesionet informuese do të vazhdojnë.
Faleminderit shumë, Konsullata jonë!