Në një atmosferë të veçantë, mbrëmë, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, u mbajt promovimi i monografisë “Parabolat e jetës dhe artit”, kushtuar skulptorit të njohur z. Mal Myrtaj, me autor z. Arsim Kajtazi.
Ky aktivitet u organizua nën patronazhin e Shefit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM).
Në fjalën e hapjes, shefi i misionit, z. Berisha, theksoi rëndësinë që kanë ngjarjet e tilla kulturore për afirmimin e vlerave tona kombëtare dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet mërgatës në Zvicër. Ai vlerësoi lart kontributin e autorit dhe të artistit në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare.

Me fjalë rasti u paraqitën, z. Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, dhe z. Mentor Thaçi, Sekretar i Lidhjes, të cilët shprehën mirënjohje për punën e autorit dhe për veprimtarinë artistike të z. Mal Myrtaj, duke e cilësuar librin si një dëshmi të rrallë të rrugëtimit krijues dhe shpirtëror të artistit. Aktiviteti u moderua nga miku i misionit Da Mo.
Në vijim, u zhvillua një debat i hapur dhe i frytshëm me protagonistin e librit, skulptorin Mal Myrtaj, i cili ndau me të pranishmit rrëfime, reflektime dhe përjetime nga jeta e tij artistike.
Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi me një performancë artistike z. Bexhet Sallai, duke sjellë emocione të veçanta për publikun e pranishëm.
Në këtë ngjarje morën pjesë krijues, artistë, përfaqësues të institucioneve, ish te burgosur politik, familje të Dëshmorve, invalid e veteran te luftës, dashamirë të artit e kulturës, përfaqësues të mediave, të cilët ndoqën nga afër këtë aktivitet me interes të veçantë.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët për kontributin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme në promovimin e kulturës dhe vlerave kombëtare në mërgatë.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih