Franca dhe Arabia Saudite do të mbledhin dhjetëra liderë botërorë të hënën (22.09.2025) që të sigurojnë mbështetje për zgjidhjen me dy shtete, me disa prej vendeve që pritet ta njohin zyrtarisht shtetin palestinez – veprim që mund të shkaktojë reagime të ashpra të Izraelit dhe SHBA-së, raporton Reuters.
Ndërsa samiti mund të ngritë moralin e palestinezëve, nuk pritet të sjellë ndryshime në terren, ku qeveria më ekstreme e së djathtës në historinë e Izraelit ka deklaruar se nuk do të ketë shtet palestinez ndërsa vazhdon luftën e saj kundër “Hamasit” në Gazë.
Përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete kanë dështuar të shënojnë ndonjë përparim për dekada të tëra, ndërsa dhuna ka shpërthyer.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do ta bojkotojnë samitin, ka njoftuar ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, duke e përshkruar ngjarjen si “cirk”.
Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia të gjitha njohën shtetin palestinez të dielën. Franca dhe pesë shtete të tjera pritet të njohin zyrtarisht shtetin palestinez të hënën (22.09.2025).
Megjithatë, jo të gjitha fuqitë evropiane do ta ndjekin shembullin. Italia ka deklaruar se njohja të jetë “kundërproduktive”, ndërsa Gjermania ka vlerësuar se mund të minojë përpjekjet për të arritur zgjidhje të negociuar me dy shtete me Izraelin.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se Izraeli po shqyrton aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor të pushtuar si kundërpërgjigje të mundshme, si dhe masa specifike dypalëshe kundër Parisit, edhe pse njohjet pritet të jenë kryesisht simbolike.
Aneksimi mund të ketë efekte të kundërta dhe të armiqësojë vendet kryesore si Emiratet e Bashkuara Arabe, fuqi globale nafte dhe qendër tregtare me ndikim të gjerë diplomatik në mbarë Lindjen e Mesme.
Emiratet e Bashkuara Arabe, më e shquara nga shtetet arabe që normalizuan marrëdhëniet me Izraelin sipas Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara më 2020, kanë thënë se veprimi i tillë do të minonte frymën e marrëveshjes.
“Kjo është arsyeja pse ne deklaruam publikisht se aneksimi është një vijë e kuqe për Qeverinë time sepse godet në zemër të asaj që Marrëveshjet e Abrahamit kishin për qëllim të arrinin” – ka deklaruar për BBC të hënën Lana Nusseibeh, ministre shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Norvegjia njohu shtetin palestinez së bashku me Spanjën dhe Irlandën në vitin 2024. Por ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ishte i kujdesshëm lidhur me njohjet e fundit të shtetësisë.
“Palestina është në një pikë kthese dhe ne jemi në një udhëkryq. Ndërsa mbështetja politike ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete rrallëherë ka qenë më e fortë, situata në terren është më e keqe se kurrë” – ka deklaruar Eide.
Administrata amerikane ka paralajmëruar gjithashtu pasoja të mundshme për ata që marrin masa kundër Izraelit, përfshirë Francën, presidenti i së cilës, Emmanuel Macron, po organizon samitin e Nju Jorkut.
Samiti, organizuar para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të kësaj jave, vjen pas nisjes së sulmit tokësor të paralajmëruar prej kohësh nga Izraeli në Qytetin e Gazës me pak mundësi për armëpushim dy vjet pasi militantët islamikë palestinezë të “Hamasit” sulmuan Izraelin, duke shkaktuar luftën në enklavën palestineze.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com