Një ditë historike për komunitetin tonë shqiptar në Lozanë!

SYRI TV
Me datë 26 gusht 2025, me ftesë të kryetarit të Kuvendit Komunal të Lozanës, z. Musa Kamenica, pata nderin të marr pjesë në inaugurimin e tij si kryetari i parë shqiptar në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.
Kjo ngjarje shënon një moment historik për të gjithë komunitetin tonë, duke treguar se në një vend demokratik si Zvicra, puna, përkushtimi dhe vlerat e secilit shpërblehen me respekt dhe mirënjohje.
Në këtë ceremoni madhështore, me mbi 300 të pranishëm nga politika, arti, kultura, biznesi dhe jeta shoqërore, patëm kënaqësinë të takohemi me shumë personalitete të njohura, ndër ta:
• Kryetarin e qytetit të Lozanës, z. Grégoire Junod
• Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Bern, z. Mentor Latifi
• Drejtorin e Zyrës për integrim të qytetit të Lozanës, Dr.Bashkim Iseni
si dhe përfaqësues e miq të shumtë nga Lozana dhe kantoni Vaud.
Ishte një natë e paharruar, që na mbush me krenari dhe shpresë për të ardhmen e përfaqësimit dhe integrimit të shqiptarëve në Zvicër.
Lutemi që z. Musa Kamenica të ketë shëndet dhe suksese në këtë detyrë fisnike, duke e kryer me përgjegjësi dhe dinjitet në shërbim të qytetarëve.
Një falënderim i veçantë shkon për z. Kastriot Fazliu për fotot nga kjo ngjarje e veçantë.