Rusia ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj një strategjie të re parandalimi të njoftuar së fundmi nga NATO, duke e cilësuar si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj enklavës së saj të militarizuar në Kaliningrad dhe si një skenar që mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.
Plani, i paraqitur nga komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën, gjenerali Christopher Donahue, synon forcimin e reagimit tokësor të aleancës në krahun lindor përmes asaj që quhet “Vija e Parandalimit të Krahut Lindor”.
Zyrtarët rusë kanë dënuar planin, duke e interpretuar atë si një përpjekje për të izoluar Kaliningradin dhe për të rritur presionin ushtarak në rajonin e Baltikut. Leonid Slutsky, kreu i Komitetit Parlamentar për Çështjet Ndërkombëtare, tha se çdo sulm ndaj Kaliningradit do të përbënte sulm ndaj Rusisë dhe do të sillte “masa hakmarrëse” të përcaktuara nga doktrina bërthamore ruse. Ai akuzoi NATO-n për kërcënimin e stabilitetit global.
Në komentet e tij në konferencën LandEuro të Shoqatës së Ushtrisë Amerikane në Wiesbaden, Gjermani, Donahue nënvizoi se NATO tashmë ka kapacitete për të “rrëzuar” Kaliningradin më shpejt se kurrë më parë, duke përfshirë ndërhyrje tokësore të shpejta dhe të koordinuara. Megjithëse nuk përmendi një sulm të drejtpërdrejtë, vëzhguesit rusë e panë këtë si një sinjal alarmi.
Strategjia fokusohet veçanërisht te Korridori Suwalki – një zonë e ngushtë tokësore mes Polonisë dhe Lituanisë, që përbën të vetmen rrugë tokësore midis Kaliningradit dhe Bjellorusisë, aleates së ngushtë të Moskës. Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se ky është një prej pikave më të ndjeshme të NATO-s dhe një objektiv i mundshëm për operacione ushtarake ruse në të ardhmen.
Sergei Muratov, anëtar i Komitetit rus për Mbrojtje dhe Siguri, deklaroi se deklaratat e Donahue-s përbëjnë në thelb një “shpallje lufte” dhe se një konflikt i drejtpërdrejtë me NATO-n do të ishte diçka shumë më e madhe se lufta në Ukrainë. Ai shtoi se asnjëra palë nuk është realisht e përgatitur për një përballje të tillë.
Tensionet rreth Kaliningradit dhe Korridorit Suwalki po rikthejnë në qendër të vëmendjes përplasjen midis interesave të NATO-s dhe Rusisë në rajonin e ndjeshëm të Baltikut, duke rritur frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm në kufijtë lindorë të aleancës perëndimore.