Mohammed al-Bashir, njëri nga udhëheqësit e rebelëve që ndihmuan në rrëzimin e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, është emëruar kryeministër i përkohshëm i Sirisë, raportojnë mediat lokale.
Në një adresim televiziv, ai njoftoi se do ta mbajë pozitën e lartë deri më 1 mars për ta udhëhequr qeverinë kalimtare, raporton televizioni BBC.
Al-Bashir, që ka qenë duke e udhëhequr provincën Idlib, pritet të udhëheqë një kabinet të pakicës për të garantuar që shërbimet publike të mund të vazhdojnë. Emërimi i tij vjen pasi disa agjenci qeveritare në vend u kanë kërkuar shërbyesve civilë dhe punëtorëve shëndetësorë ta rinisin punën.
Sipas raportimit të një gazete me seli në Abu-Dabi, Al-Bashiri qeverisi disa pjesë të Sirisë veriperëndimore si pjesë e Qeverisë Siriane të Shpëtimit, që është grup i lidhur me Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Më herët, emisari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara tha se është e rëndësishme që të gjitha grupet në Siri të punojnë së bashku.
Sidoqoftë, Geir Pedersen tha: “Në tërësi kemi parë deklarata pohuese nga HTS-ja dhe grupet e ndryshme të armatosura”.
Megjithatë, sipas tij, ende mbeten “disa çështje të rendit dhe ligjit”.