“Kjo nuk mund të bëhej pa Procesin e Berlinit”- tha von der Leyen në konferencë për media pas Samitit të Berlinit, më 14.10.2024
Von der Leyen tha se kur shohin nga e ardhmja i shohin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor pjesë të Bashkimit Europian.
Ursula von der Leyen tha se mirëpret nënshkrimin e Planit Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
“Sa më mirë të funksionojë tregu i përbashkët rajonal, aq më mirë ekonomia e Ballkanit Perëndimor mund të integrohet hap pas hapi në tregun tonë të përbashkët europian”- shtoi ajo.
Sipas saj, ekzistonte nevoja për një urë lidhëse midis tregjeve të përbashkëta rajonale dhe tregut europian.
“Kjo urë është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me 6 miliardë investime”- shtoi ajo.
Vendet e Bashkimi Europian i kanë miratuar më 11.10.2024 agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) i BE-së dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë.
I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Europian.
Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.
Qeveria e Kosovës, më 09.10.2024, kishte miratuar Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti kishe thënë se kjo do t’i sjellë vendit rreth 882 milionë euro.
Kosova, siç ka thënë ai, ka negociuar me Komisionin Europian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme.