Skemat e mashtrimit me ‘Call Center’, një milion euro fitim për tri javë

SYRI TV

Tetë persona – të gjithë familjarë mes vete – janë arrestuar nën dyshimin se kanë krijuar një grup që Prokuroria i ka vënë në “llupë”, për shkak të mashtrimit të personave me qëllim të përfitimit financiar.

Ata dyshohet se krijuan një Qendër të Thirrjeve (Call Center) dhe mashtruan në forma të ndryshme shtetasit gjerman, me qëllim të përfitimit financiar për vete.

Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e plotë dhe akuzën që rëndon mbi këta persona, ndaj të cilëve të shtunën u vendos masa e paraburgimit ndaj tetë prej tyre, përjashto njërës nga të dyshuarat – ndaj të cilës u vendos masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.

Të dyshuarit për këtë rast janë: Kastriot Bunjaku, Bianca Segashi, Berat Cakaji, Liridon Dervisholli, Armend Dervisholli, Besart Dervisholli, Gëzime Dervisholli dhe Esat Dervisholli.

Në dosjen e Prokurorisë në të cilën ka pasur qasje Insajderi, thuhet se ky grup, në asistencë me të pandehurin Indrit Haxhidautin, ka mashtruar persona të ndryshëm nga Gjermania përmes parapagimit, premtimeve për ri-gjetjen e parave të humbura. Ky grup janë paraqitur edhe si nëpunës policorë. Çdoherë sipas dosjes, për tri javë grupi i mashtrimit me “Call Center” kanë përfituar afro një milion euro për tri javë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartcekur, me të pandehurit të paraqitur në Aktvendimin mbi fillimin/zgjerimin e hetimeve PPS 73/2024 të dt. 04.04.2024, 15.04.2024 dhe 17.04.2024, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, nga koha ende e pavërtetuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për personat e tjerë, aktivisht kanë marr pjesë në veprimtaritë kriminale të këtij grupi duke shfrytëzuar njohjen të shkëlqyeshme të gjuhës gjermane, ashtu që vazhdimisht kanë kryer vepra të rënda penale të mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive të kundërligjshme të grupit, në atë mënyrë që i pandehuri Indrit Haxhidauti e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyrë këtë grup i cili duke vepruar nga Kosova, nga lokacione të ndryshme, përmes telefonit, kanë mashtruar persona të ndryshëm, shtetas të Republikës së Gjermanisë, duke i nxitur që të iu dërgojnë të hollat në shuma të ndryshme, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve me kartela parapagese (prepaid), me e-banking përmes interneti, për investime, me ri-gjetjen e parave të humbura (recovery scam) apo duke u prezantuar rrejshëm si nëpunës policor, me premtime fitimi, si ndërmarrje për mbledhje borxhesh, duke përdorur program të posaçëm elektronik i cili e pengon zbulimin e numrit të tyre, kanë thirrë të dëmtuarit e pastaj duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim ashtu që në këtë mënyrë kanë arritur që, për vetëm 3 javë të përfitojnë dobi pasurore në shumë të përgjithshme prej rreth një milion euro”, thuhet gjerësisht në dosjen e Prokurorisë.

Pesë nga tetë të dyshuarit figurojnë të kenë qenë ose të jenë në pronësi të kompanive që merren me “aktivitete telekomunikuese” apo edhe të “qendrave të thirrjeve”.

Madje, në disa raste, të dyshuarit figurojnë t’i kenë shpallur të shuara bizneset e ndryshme në të njëjtën datë njofton Insajderi.