Pavarësia e Kosovës në Amrisvil (Amriswil) të Kantonit të Turgaut (Thurgau) nuk do të dukej kaq e bukur pa fëmijët shqiptarë, të cilët pikërisht me datën 17 shkurt 2024 filluan mësimin në shkollën shqipe…
Nxënësit: Luela Shala, Ayana Kamberi, Elina Aliu, Elsa Kamberi, Leard Alili, Ayad Kamberi, Elias Aliu, Jasin Aliu, Kanita Saiti, Elsa Jusufi, Aida Jusufi, Azra Eljezi, Emin Memedi, Anisa Fejzi, Asja Eljezi, Zejnep Memedi dhe Beyan Fejziu të cilët erdhën në orën e parë të mësimit ishin të gëzuar, se më në fund po fillonin me mësimet në gjuhën shqipe. Të gëzuar ishin edhe prindërit, të cilët numëronin një mori faktesh se pse pikat shkollore duhet të jenë sa më afër fëmijëve dhe vendbanimeve të tyre. Pra ky gëzim për hapjen e pikës shkollore ishte përhap gjithë andej dhe pritet që në javët në vijim të kemi më shumë nxënës në këtë pikë shkollore dhe mësuesja do të fillonte punën për ndarjen e nxënësve në grupe më të përshtatshme për orët mësimore në vazhdim.
Nxënësit e shkollës shqipe në Amrisvil, që në ditën e parë i kënduan Kosovës, ditëlindjes së saj, u njohën me gjeografinë e saj, vizatuan hartën dhe iu gëzuan faktit, që edhe pse të lindur në Zvicër kanë mundësinë ta mësojnë gjuhën e nënës edhe në Zvicër.
E gjithë kjo dëshmon se aty ku punohet dhe veprohet sukseset nuk mungojnë. Po ashtu vlen të vlerësohet përkushtimi dhe angazhimi i mësueses Valbona Alili me prindërit e kësaj ane si dhe të veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër Nexhat Hysenit dhe Vaxhid Sejdiut, të cilët brenda një kohe të shkurtër arritën që bashkërisht këtë pikë shkollore ta bëjnë realitet. Mësimi në këtë pikë shkollore do të zhvillohet çdo të shtune nga ora 10:00 – 11:45, në adresën Romanshornerstrasse 248, 8580, Amriswil.
“Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan› të bukra me themel
por prap› kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.”