Festë e madhe sportive në Biel/ Bienne të Kantonit të Bernës!

SYRI TV

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Një ide e trajtuar ndër vite, se si të bëhemi bashkë, që të punojmë në shërbim të fëmijëve apo të rinjve shqiptarë në Zvicër po gjen vend gjithnjë e më tepër në aktivitetet e veprimtarëve të dalluar, të cilët udhëheqin me shoqatat apo me klubet sportive. Një gjë e tillë ishte e dukshme në turneun e organizuar nga Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër për kupën e Diasporës të mbështetur nga FFK kryetari z. Agim Ademi dhe MPJD.

Rrallë ndodh, që një ditë e zakontë, të shndërrohet në një ditë të mrekullueshme, jo vetëm për futbollin e të rinjve shqiptarë, e klubeve shqiptare në Zvicër por për mbarë komunitetin shqiptar, që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Një turne futbolli i organizuar falë punës së Kryesisë së Unionit të Klubeve Shqiptare në Diasporë, i kaloi të gjitha përmasat duke u shndërruar edhe në një takim të veprimtarëve, shoqatave dhe klubeve.

Një kryesi, nën drejtimin e veprimtarëve:  z. Feti Demolli, z. Rini Dauti dhe z. Musli Saiti që nderuan të gjithë ata, që punuan dhe vepruan në prezantimin sa më dinjitoz të sportit, arsimit dhe kulturës kombëtare, vlen për t`u vlerësuar lart për qëllimin dhe përkushtimin gjithëpërfshirës.

Një ide e trajtuar ndër vite, se si të bëhemi bashkë, që të punojmë në shërbim të fëmijëve apo të të rinjve shqiptarë në Zvicër po gjen vend gjithnjë e më tepër në aktivitetet e veprimtarëve të dalluar, të cilët udhëheqin me shoqatat apo me klubet sportive. Një gjë e tillë ishte e dukshme në turneu e organizuar nga Unioni i Klubeve shqiptare në Zvicër për kupën e Diasporës.

Ideja se si t`i sensibilizojmë mërgimtarët shqiptarë që fëmijët në Zvicër t`i ruajnë sa më shëndetshëm duke i regjistruar në klubet sportive, duke i regjistruar në shkollat shqipe për të ruajtur gjuhën amtare, duke i regjistruar në shoqatat kulturore për të ruajtur kulturën kombëtare, po zë vend gjithnjë e më tepër në vendbanimet në Zvicër, ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Komuniteti shqiptar në Zvicër, nuk është më ai i krahut të punës, i punëve më të vështira në shoqërinë zvicerane, por tani falë angazhimit dhe përkushtimit të të rinjve shqiptarë, si sportistët, biznesmenët, mjekët, studentët, ata të cilët kanë mbaruar studimet në universitetet prestigjioze të Zvicrës, mbajnë detyra me përgjegjësi në shoqëri. Dhe këto fakte na bëjnë nder si komb. Zvicra është shoqëri e mundësive të shumta por ajo duhet të shfrytëzohet maksimalisht sepse vetëm në këtë mënyrë nderojmë veten dhe atdheun tonë.

Edhe pse turneu i futbollit për kupën e Diasporës ishte një takim  sportiv, ishte një garë tradicionale që bënte bashkë më se 14 ekipe aktive të futbollit në Zvicër, e në mesin e tyre edhe klubet “Besa” nga Biel dhe “Kosova” nga Zyrihu, Unioni i klubeve shqiptare të Zvicrës kishte ftuar edhe veprimtarë të shoqatave të ndryshme, të cilat veprojnë dhe punojnë në shërbim të sportit, biznesit, arsimit dhe kulturës kombëtare në Zvicër, duke kryer një mision kombëtar në shërbim të bashkatdhetarëve dhe veçanërisht të fëmijëve, të të rinjve…

Ishte një rast i mirë që në këtë ditë sportive të takohen në mes veti veprimtarët e fushave të ndryshme për të këmbyer përvojën, angazhimet dhe përpjekjet e përditshme në shërbim të këtij qëllimi.

Ajo që ra në sy ishte ekipi i Televizionit vendor “Syri.tv” në Grenchen të Zvicrës, ku stafi i këtij televizioni arriti të përfshijë pothuajse të gjithat pikat përbashkësuese të këtij aktiviteti sportiv.

Në këtë aktivitet sportiv pjesëmarrëse ishin edhe dy ambasadat tona me përfaqësuesit e tyre; z. Valon Gashi nga Ambasada e R. së Shqipërisë dhe z. Gjenis Haxhimehmeti nga Ambasada e R. së Kosovës.

Organizatorët ishin kujdesur për të ftuarit duke i nderuar me mirënjohje për punën dhe angazhimin e tyre të suksesshëm gjatë këtij viti dhe jo vetëm. Me mirënjohje u nderuan: Adnan Imeri (Fondi Humanitar për Preshevës, Bujanoc, Medvegjë), Dr. Vaxhid Sejdiu nga “Shkolla Shqipe” në Zvicër, Florim Useini nga Rrjeti i Bizneseve në Zvicrën Qendrore, Shoqata e Motoristëve shqiptarë “Shqiponjat” etj.

Vlen të përmendet se nga klubet finaliste  FC Kosova  ZH dhe FC Besa Biel, kupën e Diasporës e fitoi FC Kosova  nga Zyrihu, e cila u shpall kampione e Kupës së Diasporës për vitin 2023 dhe më e mira nga ekipet shqiptare të futbollit në Zvicër.