UKSHFZ dëshmoi, se të bashkuar, do të jemi më të fort edhe më të suksesshëm

SYRI TV

NGA: DASHNIM HEBIBI

Nga Kosova kishin ardhur enkas për këtë ngjarje të madhe sportive, z.Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti si dhe Lulzim Berisha. Përpos musafirëve nga Kosova, në këtë ditë sporti, kishin ardhur edhe sportistë të sporteve të tjera. Legjenda e futbollit të shqiptarëve në Zvicër, z.Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës dhe shumë musafirë të tjerë.

Shkruan: Dashnim HEBIBI

Biel/Bienne, 10 korrik

E diela e datës 09 korrik, do të mbahet në kujtesën e secilit veprimtarë, që jeton e vepron në Zvicër. Ata sportistë, musafirë nga Kosova, dashamirës të sportit dhe bashkatdhetarë nga katër anët e Zvicrës, që ishin prezent në një eveniment sportiv edhe ate me të gjitha ngjyrat sportive në futboll, dëshmuan, se me një unitet ia dalim mbarë. Në fillim të këtij reportazhi, duhet theksuar dhe është për të vlerësuar edhe ate shumë, se thuajse në çdo lojë që është zhvilluar, nuk ka pasur rrahje mes veti apo edhe sharje. Pak me rezerva thuajse çdo dashamirës i sportit ka pritur, që gjysëmfinalet apo finalja do të jetë pak më e ashpër, siç jemi mësuar të shohim, apo normal që ndodh nëpër shumë turnire, por vërtet ishte për mrekulli, pas çdo ndeshje, ekipet u ndashin duke u përshëndetur. Edhe pse ishte e diele, ditë pushimi, edhe pse ishte shumë nxehtë, mbi 30`C, edhe pse ishte ditë që veçse në disa kantone të Zvicrës kanë filluar pushimet verore, ekipet janë përgjigjur pozitivisht, dashamirës të sportit, për ta përcjellur dhe përkrahur këtë ngjarje të madhe sportive. Jemi mësuar të shohim turnire të ndryshme në Zvicër, por kjo ishte diçka më tjetër, edhe pse ishin që të gjitha të mira, por kjo ishte medalje e organizimeve në futboll, sepse mbante një emërtim të veçant e shumë të nderuar, Union, bashkim të klubeve shqiptare. Siç dihet, në këtë union janë bashkuar 26 klube të futbollit të shqiptarëve në Zvicër dhe kanë krijuar Unionin e Futbollit Shqiptarë në Zvicër. Për këtë historikë nuk do të ndalem, sepse është e njohur thuajse nga çdo sportë dashës. Kësaj here, garuan 11 ekipe, prej 14 sa ishin paraqitur.

E diela e 9 korrikut në fushën e FC Besa në Biel Bienne u zhvillua me shumë sukses Kupa e Diasporës për Klubet e Futbollit Shqiptar në Zvicër. Ndeshjet u zhvilluan në stadium të madh me nga 11 lojtarë. Dashamirësit e futbollit patën rastin të shihnin klubet e ligave të ndryshme, duke filluar nga liga e parë FC Kosova Zürich, FC Besa Liga e 2 interregjionale, Dardania Lausanne, FC Prishtina Bern, FC Iliria Solothurn dhe shumë klube të tjera. Është për të përshëndetur, se ky Union po gjenë përkrahje edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës. Nga Kosova kishin ardhur enkas për këtë ngjarje të madhe sportive, z.Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti si dhe Lulzim Berisha. Përpos musafirëve nga Kosova, në këtë ditë sporti, kishin ardhur edhe sportistë të sporteve të tjera. Legjenda e futbollit të shqiptarëve në Zvicër, z.Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës, Erzen Rrustemi kampion i peshave të rënda në boks, Luan Rudaj, Ridvan Murati, aktor me përmasa ndërkombëtare dhe shumë të tjerë.. Edhe nga të parët e futbollit të Kosovës, por edhe nga të pranishmit u vlerësua se Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe FC Besa mikëpritëse dëshmuan për organizim shembullor, që do ja kenë lakmi edhe në atdheun tonë. Duhet falënderuar edhe ate maksimalisht shtetin pritës, Zvicrën, që po na mundëson të organizohen edhe aktiviete sportive në fusha profesionale. Ky besim para shtetit zviceran ka ardhur, padyshim, nga imazhi i mirë i shqiptarëve që jetojnë në Zvicër dhe Zvicra siç dihet për thuajse të gjithë shqiptarët është ardheu i tyre i dytë. Në këtë rast, ju lumtë FC Besa për organizimin dhe pritjen e musafirëve. Ku kishte pije të freskëta dhe ushqim cilësor. Në çdo detaj ishte për tu vlerësuar dhe kishin fjalët më të mira të mundshme nga të pranishmit. Evenimentin sportiv e nderuan edhe disa personalitete që ishin prezent dhe ne siguruam nga një prononcim të shkurtërt nga ata:

Gjenis Haxhimehmeti, sekretar i Ambasadës së Kosovës në Zvicër:

„Falënderova në emrin tim dhe të ambasadorit dhe gjithë stafit tonë për ftesën që na kanë bërë. Këto organizime janë shumë të mira. Diaspora shqiptare e ka treguar veten dhe po e tregon edhe sot e kësaj dite, se është shumë e lidhur me vendin e të parëve dhe kurrë nuk do të shkëputen. Gjthashtu, falënderojmë edhe shtetin mikëpritës Zvicrën e cila na ka dhënë mundësi, që të ushtrojmë çdo të drejtë në këtë shtet. Padyshim, se çdo mërgimtarë i është falëndeues Zvicrës dhe popullit të saj. Ky takim sportiv i organizuar nga UKSHFZ është për të përshëndetur me fjalët më të mira të mundshme dhe duhet edhe më shumë të përkrahet, sepse është një bashkim i klubeve. Aty ku ka bashkim, kurrë nuk do të mungojnë sukseset. I përgëzoj të gjithë që kanë kontribuar në këtë eveniment shumë të rëndësishëm.

Agim Ademi, kryetari Federatës së Futbollit të Kosovës:

„ Me shumë kënaqësi kemi ardhur nga Kosova. Ne kemi një mërgatë të fuqishme. Kemi një mërgatë që e ka dëshmuar veten nëpër periudha të ndryshme, se është gjithmonë afër atdheut. Kemi talentë të shumtë edhe në futboll. Edhe ne si federatë u kemi dhënë hapësirë e do ti japim edhe në të ardhmen të gjithë talentëve që të kontribuojnë në përfaqësuesen e Kosovës. Kam fjalët më të mira për këtë organizim. Mezi se po presim, që të luhet edhe ndeshja kryesore mes fituesit të ekipeve nga Zvicra dhe asaj nga Gjermania me të parin e Kosovës në Prishtinë brenda këtij viti. Kemi parë ndeshje të mira dhe shiheshin edhe lojtarë shumë cilësor. Respekt për organizatorët“.

Feti Demolli kryetar i UKSHFZ:

„Ju falënderoj juve dhe gjithë ata që kanë kontribuar për t`u organizuar kjo ngjarje e madhe e futbollit. Falënderoj stafin e FC Besa për të gjitha dhe gjithë stafin tim. Është nder dhe kënqësi për ne që të kemi edhe musafirë nga Kosova, të parin e futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi si dhe drejtorin sportiv të FFK-së, z.Muharrem Sahiti. Falënderoj sponzorët, sportistët, tranjerët, referët, mediat, me një fjalë që të gjithë. Padyshim, një falënderim i përzemërt shkon edhe për miqtë tanë zviceran, që na kanë mundësuar që të gjitha kushtet, që të zhvillohet turniri ashtu si do të duhej. Jemi munduar e do të mundohemi edhe në të ardhmen, që të jemi edhe më të organizuar. Kemi punuar shumë dhe ja arritëm që ta përfundojmë këtë turnir të sivjetëm shumë mirë. Ekipi nga Zvicra dhe ai nga Gjermani do të luajnë në tetor në Kosovë, konkretisht në Prishtinë dhe po besoj se do të kemi përkrahje edhe nga Kosova, që ate ditë ta kemi festë. Mërgata ishte e do të mbetet gjithmonë me atdheun. Një respekt i veçantë për gjithë drejtuesit e ekipeve si dhe futbollistët, që treguan lojëra super të mira dhe mbi të gjitha fer play. Kjo është kulmi i suksesve”.

Rini Dauti, zëvendës kryetar i Unionit:

Ne mundemi, jemi dhe do të jemi të bashkuar. Mendojmë për gjeneratat e reja që po vijnë, sepse po jetojmë në shtetin e mundësive, që nuk na pengojnë në suksese, por përkundrazi, na ndihmojnë. E dijmë, se sa futbollistë shqiptarë luajnë nëpër klube të Zvicrës, por edhe në kombëtare. Respekte.“

Musli Saiti, sekretar dhe editor i Syti Tv:

“Ju falënderoj edhe juve që keni ardhur nga Cyrihu. Të falënderoj edhe për punën që e ke dhënë në fushën e gazetarisë edhe ate profesionale jo më pak se mbi 20 vjet. Kam pasur rastin të takoj e të lexoj shkrime e shkrime për diasporën tonë. Të nderuam edhe me një mirënjohje për punën që e ke bërë. Shumë faleminderit. Ka pasur shumë punë, por jemi krenarë se ia dolëm mirë. Kishim musafirë nga Kosova, të parin e federatës së futbollit të Kosovës dhe drejtorin e përfaqësueses së Kosovës në futboll, ku i falënderojmë përzemërsisht për ardhjen e tyre por edhe për mbështetjen. Falënderoj që të gjithë që kanë kontribuar që të dalim të gjithë së bashku mirë. Falënderoj edhe Feti Demolli kryetar i UKSHFZ, stafin e FC Besa me kryetar Petrit Krasniqi, përfaqësues të ambasadë së Shqipërisë dhe të Kosovës, yllin e futbollit shqiptarë, z.Milaim Rama, babain e futbollistëve të mëdhenj që na kanë krenuar e po na krenojnë të Granit dhe Taulant Xhakës, z.Ragip Xhaka. Falënderoj edhe stafin e TV Syri me qendër në Solothurn të Zvicrës, që gjithë ditën me kamera e fotoaparata kanë qëndruar, për të përcjellur çdo detaj në këtë turnir të madh dhe të veçant. Ishte një ngjarje e madhe sportive dhe besoj se nuk do të harrohet nga të gjithë të pranishmit. Jemi munduar që t`ia dalim mirë dhe me ndihmën e të gjithëve ia dolëm mirë dhe kjo tregoi se të bashkuar dijmë dhe mundemi. Siç e patë edhe vet, nuk ka patë sjellje jo sportive. Emocionet janë normale, por të del nga binaret e mirësjelljes nuk kemi pa. Kjo është për të përshëndetur. Ju lumtë djema për lojrat që i keni treguar. Urime ekipit fitues. Shihemi në tetor në Prishtinë. Emision të gjatë dhe për më shumë detaje do të shihni së shpejti në TV Syri ku kemi siguruar edhe bashkëbisedime me shumë personalitete që ishin prezent. Nder edhe njëherë, që ishe në mesin tonë dhe shpresoj, se edhe përvoja jote, do na duhet për vitin tjetër“.

Drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti:

„Me shumë kënaqësi kemi ardhur në këtë ngjarje të madhe sportive. Përshëndes dhe uroj organizatorët që të mos ndalen. Kam fjalët më të mira të mundshme. Gjithashtu, pash shumë të rinjë, që kishin vullnet për futboll, fëmijë që janë lindur e po rriten në Zvicër, por që po i njohin futbollistët dhe neve që kishim ardhur nga Kosova. Kjo më gëzoi shumë, se prindërit shqiptarë, po punojnë shumë, që të mos ketë shkëputje nga vendi i të parëve. Zoti e bekoftë diasporë tonë.

Milaim Rama, ish futbollisti i parë shqiptarë që ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës:

„Siç e keni parë edhe vetë, kishte lojëra shumë të mira dhe shiheshin edhe talentë të rinjë. Kjo të gëzon shumë, se mërgata jonë kishte e do të ketë talent. E përgëzoj organizatorin, vërtet ishte një organizim shumë i mirë. Të gjitha ekipet mbi të gjitha treguan lojëra cilësore dhe fer play. Zvicra si gjithmonë na ka dhënë mundësi që të jemi si në atdhe. Besoj shumë, se këto organizime edhe në të ardhmen, do ti motivojnë edhe më shumë të rinjtë tanë që të merren me sport. Ky unitet i klubeve shqiptare është për të përshëndetur dhe përkrahur. Kam fjalët më të mira të munshme. Suksese e ju lumtë.“

Ragip Xhaka, babai i Granit e Taulant Xhakës:

„Falënderoj përzemërisht presidentin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe stafin që më kanë ftuar. Me shumë kënaqësi erdha. Takova shumë miq nga Kosova dhe gjithë Zvicra. Pamë ndeshje të mira. Kemi një diasporë të fuqishme. E përgëzoj organizatorin dhe mikëpritësit nga FC Besa“.

Skender Thaqi, ish menaxher FC Besa për dy mandate dhe njëherit veprimtarë i dalluar:

„U dëshmua edhe njëherë, se i gjithë stafi i FC Besa dinë të pres musafirët për një ngjarje të madhe sportive. E përgëzoj stafin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër për organizimin. Kemi kaluar një ditë shumë të mirë. Duke takuar shumë miq që moti si kisha takuar dhe duke përcjellur edhe ndeshje të mira futbolli. Këto organizime dhe shumë të tjera i duhen diasporës sonë, sidomos brezit të ri. Kemi një diasporë të fuqishme dhe fati është i joni që jemi në Zvicër, në këtë shtet që na ka mbështetur me të gjitha mundësit. Ne u jemi mirënjohës. Mu kujtua, kur pata filluar në FC Besa, duke kontribuar që kishim vetëm një ekip dhe ngadal e sigurt korrëm suksese. Sigurisht se kishim vështirësi, por ia dolëm që ti japim shumë forcë. E sot, kemi një FC Besa shumë të fortë dhe që ka reputacion të mirë edhe para miqve tanë zviceran. Po shihet edhe mikëpritja e gjithë stafit të FC Besa. Për çdo lavdëratë. Vlerësoj shumë edhe prezencën e të parit të FFK-së, pastaj edhe të babait të Granit e Taulant Xhakës dhe shumë veprimtarëve të tjerë. Kështu të bashkuar kemi mundësi të realizojmë edhe shumë projekte të tjera të mira, sepse kemi profesionistë të fushave të ndryshme“.

Petrit Krasniqi, kryetar i FC Besa:

„ Ju falënderojmë që keni gjetur kohë për t`na nderuar. Falënderoj kryetarin e UKSHFZ dhe gjithë stafin e tij, që sivjet na besuan neve që ti mirëpresim për këtë organizim. Më lejoni t`ju jem mirënjohës gjithë stafit të FC Besa, që vërtet janë angazhuar që të gjithë, që të dalim me sukses. Besoj, se edhe ia kemi dalur. Falënderoj edhe miqtë tanë zviceran, që gjithmonë i kemi afër dhe falë tyre, ne kemi suksese. Jeni duke  e parë edhe vet, na kanë mundësuar të gjitha kushtet. Ishte një ngjarje e madhe sportive dhe shpresoj se edhe në të ardhmen, sikur këtu të kalojmë edhe nëpër kantone të tjera. Ne kishim një ekip të mirë që shkoi në finale, por fati nuk ishte në anën tonë që të fitojmë sivjet këtë kupë. Mbi të gjitha si ekipi jonë, por edhe të gjith ekipet treguan se dijmë të luajmë dhe dijmë të respektohemi. Do të jemi së bashku edhe në organizime të tjera“.

Rafet Ademi, veprimtarë i kahershëm i kauzës kombëtare;

„ Shkurt e shqip jam kënaqur. Edhe pse ishte shumë nxeht, kur shihja këtë organizim të bukur, më vinte freski shpirtërore. Plot e plot ekipe, plot e plot, sportistë, sa rini të mirë që kemi. Më la shumë përshtypje që nuk dëgjova sharje. Se shpesh nëpër turnire nga nervoza edhe shahen futbollistë, apo edhe rrahen. Kjo ishte ditë e madhe. E përgëzoj mikëpritsin dhe stafin e UKSHFZ, që kishte organizuar perfekt. Kemi një mërgat të artë dhe presim suksese. Nuk është koha e gjeneratës sime, që punonim e jepnim për tu bërë shtet. Tani kemi dy shtetet tona dhe me përkrahjen e tyre, do të jemi edhe më të fortë. E ky shtet ku po jetojmë, na ka dëshmuar se e kemi mikun e përbetuar. Ne u jemi falëndeues Zvicrës dhe popullit të saj. Bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare, sepse na bashkon flamuri. Të punojmë për gjeneratë e re edhe ma shumë“.

Adi Hebibi, 9 vjeçar që donte të luante edhe ai ku kishte marrë topin për të luajtur dhe bënte foto me shumë personalite që ishin prezent:

“Pse nuk po muj me lujt edhe unë? A guxoj ta bëj shqiponjën aty te flamuri kuq e zi? Pse nuk po organizohet një turnir edhe për neve që jemi ma të vegjël? Sa mirë shqip po dëgjoj këngë për Adem Jasharin. A krejt shqiptarë janë këta që po luajnë a? Sa mirë që po luajnë. Shqiptarë paska plot Xherdan Shaqira e Granit Xhaka. A i shohim edhe këta nëpër televizione? Si mundem ta mar edhe unë një T-shirt të ekipit Kosova, Albania dhe Luginës së Preshevës? Unë po du me e përcjell ekipin e Luginës së Preshevës, sepse Albania e Kosova janë më të mëdhaja, Lugina e Preshevës nuk është edhe aq e madhe. Po du me fitu Lugina e Preshevës dhe pastaj me u përmend ma shumë edhe në Zvicër. U kënaqa sot. Ma dhanë edhe mua një medalje në qaf. Mora edhe nënshkrime nga presidenti i FFK-së, nga futbollisti i mirënjohur, Muharrem Sahiti, Milaim Rama legjenda, babai i Granit Xhakes, nga presidenti i UKSHFZ.A shkojmë me e pa finale në Kosovë? A organizohet edhe vitin tjetër?. Shumë e shumë pyetje të tjera na bëri Adi. Adi dhe shumë të rinjë të tjerë, falë edhe këtyre organizimeve, po i japin edhe më shumë energji shpirtërore për krenarinë se jemi shqiptarë. U ndanë edhe disa mirënjohje, ku në mesin e tyre u nderua edhe Dr.sc.Dashnim HEBIBI, për kontribut në art, kulturë dhe sport, që mbi 20 vjetë ka përcjellur dhe shkruar për shumë aktivitete të ndryshme për të mirën e kombit tonë, jo vetëm në Zvicër, por edhe në gjithë diasporën tonë. Edhe shumë e shumë të shkruash, prap është pak, nga ajo që pamë në këtë ditë të shënuar sportive. Edhe gjysëm finalet ishin të mira dhe me shumë meritë, në finale u takuan FC Kosova/ Cyrih dhe FC Besa/ Biel. Fjalë të mira meritojnë edhe referët që ndajtën drejtësi në fushë në mënyrë shumë profesionale dhe me një mirëkuptim të veçant. Pas një ndeshje shumë të mirë dhe me shumë emocione, fitues doli FC Kosova nga Zürich, duke e mundur FC Besa me rezulat 2:1. Loja ishte fer play dhe la mesazh të mirë për të gjithë, se triumfoi futbolli. Kampione e Kupës së Diasporës 2023 dhe më e mira nga ekipet shqiptare të futbollit në Zvicër, FC Kosova, pranuan kupën dhe medaljen nga i pari i FFK-së, z.Agim Ademi. Krejt në fund ekipet fituese morën edhe foto kujtimi. Vlenë të përmendet edhe kontributi nga Shoqëria Kulturo Artistike Albakult me qendër në Bern, që me disa valle me veshje kombëtare i dhanë hijeshi artistike këtë evenimeti sportiv. Kryesia e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit falënderoi, musafirët nga Kosova të parin e FFK, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, stafin e klubit Besa, ekipet pjesmarrëse, mediat, sponsorët dhe të gjithë të pranishmit. Ky eveniment sportiv vërtet le për të dëshiruar dhe besuar, se edhe në vitet që do të vijnë, do të jetë mirë e më mirë dhe jetëgjatësia e saj do të jetë, sa të jetoj shqiptaria në Zvicër.