Vaxhid Sejdiu, veprimtar i dalluar i “Shkollës Shqipe” dhe mbarë komunitetit shqiptar në Zvicër

Admin

…Edhe vitit shkollor 2022/23 po i afrohet fundi. Çdo vit shkollor ka sfidat, ka bartësit e tij, të cilët me punën dhe përkushtimin vullnetar të lënë pa gojë, të lënë pa tekst duke vënë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare gjithë qenien e tij. Në këtë rrugëtim dallojmë Dr. Vaxhid Sejdiun, mësues dhe koordinator i “Shkollës shqipe” në Zvicër

 

Dr. Vaxhid Sejdiu, me angazhimin dhe përkushtimin e tij në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare ka dëshmuar dhe po dëshmon në vazhdimësi, se është emër i përveçëm jo vetëm në Zvicër por në mbarë mërgatën shqiptare.

Në përgjithësi, shkollat shqipe në Zvicër janë një zgjedhje pozitive për fëmijët shqiptarë, që jetojnë në Zvicër dhe kanë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Fakt është se koordinatorët e shkollave shqipe janë shumë të rëndësishëm për organizimin e shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në mënyrë, që në këto shkolla të organizohet sa më mirë mësimi në gjuhën amtare. Dhe sot, “Shkolla Shqipe” në Zvicër është një histori suksesi. Në këtë vazhdimësi Dr. Vaxhid Sejdiu me punën dhe përkushtimin e tij, jo vetëm si mësues por edhe si koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër dëshmoi se në bashkëpunim me prindërit, mësuesit dhe bashkëveprimtarët e shumtë të arrijë suksese të veçanta në mbarë Zvicrën. Vetëm në tri vitet e fundit janë hapur dhjetëra e dhjetëra pika shkollore duke ofruar orë mësimore për qindra e qindra nxënës në njëzet kantone të Zvicrës. Pra thënë shkurt “Shkolla Shqipe” në Zvicër, sot është një vlerë e shtuar për komunitetin shqiptar në Zvicër, gjë që duhet të nderohet dhe përkrahet gjithë andej për punën dhe organizimin e suksesshëm.

“Shkolla shqipe” në Zvicër nën drejtimin e Dr. Vaxhid Sejdiut, arriti të fitojë jo vetëm besimin dhe përkrahjen e prindërve, mësuesve, të cilët punojnë në gjirin e këtij institucioni arsimor, por edhe besimin e  përkrahjen nga të gjitha përfaqësitë diplomatike në Zvicër, në veçanti të Ambasadës Shqiptare, si dhe Ministrive tona të Arsimit, duke u bërë shembulli më i mirë i një rrugëtimi gjithëpërfshirës në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Thirrja e tij dhe kolegëve të tij “ejani ta bëjmë shkollën shqipe” tingëllon fuqishëm në mesin e mërgimtarëve shqiptarë kudo ku veprojnë dhe punojnë.

Mësuesi Vaxhid Sejdiu, jo vetëm që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për shkollën shqipe dhe për gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, por është vlerësuar lart, me të drejtë për bashkëpunimin e tij, me prindërit shqiptarë, duke e rritë interesin dhe pjesëmarrjen e tyre, si dhe gatishmërinë e tyre që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në orët mësimore në gjuhën shqipe. Fakt është se shtimi i numrit të klasave, rritja  e numrit të nxënësve është vlerësuar lart nga komuniteti shqiptar në Zvicër dhe jo vetëm.

 

Prezantimin që ia ka bërë “Shkollës Shqipe”  – në Zvicër gjatë këtyre 3- 4 viteve është ndër prezantimet e rralla, që kemi pasur rastin t`i shohim në mërgatën shqiptare. E gjithë kjo është padyshim një dëshmi e shkëlqyeshme e aftësisë së tij, që t’i ndihmojë të gjithë pa dallim mësuesit, prindërit, veprimtarët në ndërtimin e urave të bashkëpunimit, me qëllim që suksesi të jetë sa më i dukshëm brenda komunitetit shqiptar. Pra “Shkolla Shqipe” e cila punon dhe vepron në bazë të planprogramit mësimor të dy ministrive tona, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, sot është një mundësi e mirë për fëmijët shqiptarë për ta mësuar gjuhën e nënës. Brenda një periudhe të shkurtër janë krijuar urat e bashkëpunimit edhe me institucionet zvicerane pothuajse në të gjitha kantonet e Zvicrës.

Bashkëpunimi i tij me mediat, me qëllim sensibilizimin e prindërve shqiptarë  është i veçantë. Gjuha e urtë, sjellja profesionale, i palodhshëm në punë është shembulli më i mirë, se si duhet të veprojë një koordinator i shkollave shqipe.

Angazhimi i tij nga një qytet në qytet tjetër, nga një kanton në kanton tjetër, nga një këshill prindëror në një këshill tjetër prindëror, nga njëra media në medie tjetër dëshmon përkushtimin dhe gatishmërinë e një veprimtari, që gjuhën dhe kulturën kombëtare e ka mision shpirtëror.

Ka mjaftuar një mesazh, një telefonatë apo një emal në adresën tij apo të shkollës shqipe, për t`u kurorëzuar pas 3-4 apo 5 javëve me një pikë shkollore.  Ky rrugëtim dëshmon aftësi të larta organizative, të cilat rrallë i shohim në mesin e veprimtarëve. Një përkushtim, që përkthehet në një pikë shkollore që ofron mësime në gjuhën amtare për kolegë të tjerë, të cilët në vazhdimësi iu kanë bashkangjitur dhe i bashkëngjiten shkollës shqipe. Kurse në anën tjetër Vaxhid Sejdiun e njohim ndër mësuesit e rrallë, i cili jo vetëm për nga numri i nxënësve por edhe për nga vazhdimësia lart bart flamurin e gjuhës shqipe. Në vazhdimësi nxënësit e tij kanë qenë dhe janë ndër nxënësit më të dalluar, duke treguar suksese të shkëlqyeshme në manifestime shkollore dhe në konkurset e diturisë. Në daljet publike të nxënësve të tij nuk kemi pasur raste të shohim imitime apo improvizime por origjinalitet dhe përkushtim pune, gjë që në shumicën e rasteve bëhet jashtë orarit të mësimit duke dëshmuar  në mënyrë të veçantë vullnet të pa kompromis.

Mjafton të shfletosh web-in e shkollës shqipe “shkollashqipe.ch” apo faqen zyrtare të facebokut “shkolla shqipe zvicër” apo faqen e tij personale dhe faktohet djersa, puna, përkushtimi, atdhedashuria, sukseset, hapja e pikave shkollore e dokumentuar me fotografi shkollash, mësuesish, nxënësish…

Vaxhid Sejdiu, në bashkëpunim me mediat shqiptare, veçanërisht me TV SYRI, me mesazhet, me kërkesat e tij në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare ka krijuar profilin e tij duke dëshmuar se bashkërisht mund t`ia dalim. Prandaj bashkërisht iu bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve kudo ku janë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe sepse është shumë e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Prandaj, të nderuar bashkatdhetarë mjafton një mesazh në numrin e tij të telefonit 076 321 26 94 apo në emalin e shkollës shqipe shkollashqipezvicer19@gmail.com, do të vërtetoheni se brenda disa javëve hapja e shkollës shqipe në vendbanimin tuaj do të bëhet realitet. Dhe nga ky realitet përfituesit më të mëdhenj, për të ardhmen e tyre janë fëmijët tuaj, të cilët në mënyrë të rregulltë do ta mësojnë gjuhën amtare./SYRI TV – Televizioni SYRI ne Zvicer  Besim Laci