Lirohen policët që u rrëmbyen në veri

Admin

Tre policët që u kidnapuan në veri janë liruar sot, mëson Gazeta Express.

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

Të njëjtit dolën sot sërish para Gjykatës së Kralevës në Serbi, ku edhe u mor vendimi për lirimin e tyre.

Tre policët janë vizituar nga familjarët e tyre të premten, derisa njërit prej tyre i janë siguruar edhe barnat.

Para disa ditësh, në një konferencë për media, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, kanë shpalosur detaje për vizitën e ambasadorit Jetishi te tre policët kufitarë.

Kurti tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe

“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer.

Ndësa, Gërvalla ka treguar për kushtet në të cilat gjenden ata.

“Nga momenti i shqiptimit të masës së zgjatjes së paraburgimit për 30 ditë, tre oficerët janë vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Kralevëve. Ata janë të vendosur në dhoma të veçanta tek e tek, mirëpo nuk kanë qasje as në TV ose në ndonjë formë të mediave të shkruara ose tjera. Sipas tyre, trajtimi nga gardianët dhe stafi tjetër është korrekt, atyre u jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhe pse sipas njërit prej tyre cilësia është jo e mirë. Dje autoritetet e burgut iu kanë dhënë ndërresa të brendshme dhe aksesorë të higjenës, por Mustafa ka thënë se i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson qëndrimin në burg. Përmes Jasahrit dhe kontaktit me familjen e tij do të përpiqemi që të sigurojmë medikamentet për Mustafën.”