Ndahet nga jeta zyrtari i Policisë së Kosovës dhe ish-arsimtari Afrim Syla

Syri

Njoftohet se ka ndërruar jetë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Syla, i cili me origjinë është nga fshati Reznik i komunës së Vushtrrisë.

Afrim Syla për vite me radhë kishte dhënë një kontribut të çmueshëm në fushën e arsimit si mësimdhënës, duke edukuar breza të tërë nxënësish. Më pas, ai vazhdoi misionin e tij në shërbim të publikut si pjesëtar i Policisë së Kosovës, detyrë të cilën e ushtroi me përkushtim e profesionalizëm të lartë deri në ditët e tij të fundit.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë familjarët, ish-nxënësit, kolegët në Policinë e Kosovës dhe komunitetin e Vushtrrisë, ku ai gëzonte respekt të veçantë për natyrën e tij njerëzore dhe angazhimin e pashoq.

Me rastin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor, reagim ka pasur edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Përmes një telegrami ngushëllimi, sindikata u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, duke vlerësuar lart kontributin dhe përkushtimin e Afrim Sylës në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare.

“I paharruar qoftë kujtimi për të!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Redaksia e Syri TV i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Syla, farefisit dhe të gjithë kolegëve të të ndjerit.