Valon Konushevci është një gazetar i njohur sportiv nga Kosova. Ai tani i përket një rrethi të ngushtë të gazetarëve më profesionistë dhe më me përvojë në sportin e Kosovës.
Aktualisht Konushevci është redaktor i sportit në njërin prej mediumeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, në Gazetën Express. Po ashtu, është redaktor i sportit në njërin prej televizioneve të njohura në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, në Televizionin T7.
Karriera e suksesshme e tij, të cilën e shfaqim në vijim, na ka shtyrë ta realizojmë një intervistë me gazetarin e respektuar në Kosovë.
Por, fillimisht të tregojmë se kush është ky gazetar, lajmet, raportimet, hulumtimet dhe analizat e të cilit njerëzit i ndjekin gati qe dy dekada.
Valon Konushevci është lindur më 14.08.1986, në Prishtinë, ku është lindur edhe babai i tij, Salihu, ndërsa origjinën e ka nga Llapi. Valoni është njëri nga pesë djemtë e prindërve të tij, Salihut dhe Shukrijes, të cilët i kanë edhe dy vajza.
Valoni është i martuar me Besën dhe tashmë është baba i dy djemve, Nur dhe Jan Konushevcit.
Konushevci është 36-vjeç, por gati gjysmën e këtyre viteve i ka kaluar në gazetari. Ai është një gazetar me diplomë universitare pasi i ka kryer studimet në fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë.
Ende pa diplomuar e kishte nisur karrierën prej një gazetari sportiv, në vitin 2006. Dhe, nga atëherë nuk i është ndarë për 17 vjetëve gazetarisë. “Gjatë këtyre 17 vjetëve, më kujtohet vetëm një pushim, prej një muaji e pak, nga angazhimi im në gazetari”, thotë Konushevci për “Syri.tv”.
Si fillon një dite tipike pune e Valon Konushevcit?
Fillimisht, faleminderit për interesimin, televizioni Syri. Me kënaqësi të madhe pranova ta jap këtë intervistë për një medium që i përket sidomos diasporës tonë shqiptare, për të cilën e ndjej një respekt dhe dashuri të veçantë, sepse pjesë të saj kam edhe të afërm të mijë, sidomos familjarë të afërt të nënës time. Përpos kësaj, kjo diasporë gjithnjë i ka dhënë shumë Kosovës, në shumë sfera, por unë do ta veçoja sferën sportive, ku jam edhe vet i angazhuar. Dihet kontributi kështu që nuk po e zgjasë përpos një falënderimi nga ana ime për diasporën tonë.
Sa i përket pyetjes, ju e dini se lajmi ndodh në çdo moment dhe si gjithë gazetarët, edhe unë jam në gjendje gatishmërie çdo moment. Pra, e nisi një ditë ashtu siç edhe e mbylli – me angazhim në profesionin tim. Në gazetari mund të ketë orar, por vetëm formal, sepse një gazetar është i angazhuar thuajse online, përpos orëve të gjumit.
Kur e ke filluar karrierën si gazetar? Pse e zgjodhe pikërisht këtë profesion? Si ka qene rrugëtimi yt ne gazetari nga fillimi deri sot?
Qysh në vegjëli kisha filluar pasionin për gazetari. Si i vogël më bënin përshtypje moderatorët e lajmeve dhe nuk i dalloja rolet në mes gazetarëve, redaktorëve, moderatorëve, etj. Duke u rritur vet, shtohej simpatia dhe dashuria për gazetari, krahas kësaj edhe interesimi. Nuk interesohesha shumë për benefitet ose sfidat e vështira që në fakt i ka gazetaria, i cili profesion dorën në zemër është goxha i rëndë për ta kryer. E përballon lehtë e mirë vetëm nëse e do me zemër dhe e ushtron me ndjenja kënaqësie. Pasi e përfundova shkollën e mesme erdhi koha për të vendosur drejtimin për të studiuar. Unë në fakt nuk mendova fare. Isha i vendosur qysh më herët. Ambicien tima finale për t’u bërë gazetar ia kumtova edhe familjes. Ata ma bënë qejfin dhe më përkrahën gjatë gjithë rrugëtimit. Babai im ma kryente çdo shpenzim financiare dhe më përkrahte shumë. Më pati thënë të mos mendoj për të punuar sa jam në fakultet por t’i përkushtohem maksimalisht mësimit. Këtë edhe e pata bërë sepse prapa e kisha një siguri e mbështetje të madhe nga babai, për të cilin e lus Zotin që ta kem edhe 100 vjet pranë vetes, sepse tash si i pavarur që jam kam nevojë vetëm ta kem pranë dhe ta shijojë si babë. E njëjta vlen edhe për nënën. Më ka përkrahur e gjithë familja, por nuk e harroj kurrë kujdesin dhe përkrahjen gjatë gjithë jetës të motrës time, Valit tim, të cilën e kam zemër të madhe.
Ende pa i kryer studimet, në vitin 2006 fillova të punoja fillimisht në gazetën e asaj kohe “Pavarësia News”, ku nuk e harroj mbështetjen e të ndjerit Cen Pushkolli, që ishte kryeredaktor. Aty qëndrova disa muaj e pastaj kalova në një prej gazetave më të mira, që ishte ndryshe prej të tjerave, në Gazetën Express. Aty punova 5-6 vjet, e pastaj kalova në Gazetën “Tribuna”, ku isha i angazhuar në pjesën e saj sportive, “Arena”. Pas një viti gazeta “Zëri” më besoi pozitën e redaktorit të sportit të cilën e kreva për 5 vjet. Pastaj, në vitin 2019 u ktheva në Gazetën Express e cila ishte bërë edhe me një televizion, T7, ku jam i angazhuar në të dyja, si redaktor i sportit, gati qe pesë vjet. Dua të theksoi se gati gjatë gjithë këtij rrugëtimi kamë bashkëpunuar me Moral Pozhegun, me të cilin suksesi është i garantuar, njësoj sikurse kënaqësia në një profesion përplot stres por edhe adrenalinë. Përpos Moralit, tani në redaksi me ne janë edhe Endrit Jashari, Agan Ramaxhiku, Arbëri Gashi dhe Albin Elezaj, me të cilët mundohemi të bëjmë punë të mirë, si në Express ashtu edhe në T7.
Si arrite të bëhesh gazetar sportiv? Pse pikërisht gazetar sportiv?
Pasioni, vullneti, por edhe fati, bën që unë të fillojë të merrem me gazetari, në një moshë të re, si një 19-vjeçar. Nuk ishte edhe e lehtë sepse në atë kohë kishte dukshëm më pak media dhe vende pune për gazetarë.
Pse pikërisht me gazetari sportive? Sepse në atë kohë Kosova ishte në tranzicion, pak vjet më herët kishte përfunduar lufta dhe Kosova bënte përpjekje për pavarësi. I gjithë fokusi ishte te politika. Nuk kam punuar në politikë, por ndoshta edhe gazetarët e kanë pasur shumë problem ta kryejnë detyrën e tyre qoftë edhe në mënyrë të pavarur. Kjo mundësi ishte te rubrika e sportit. Sporti po ashtu ishte pasioni im. Dhe të dy këta faktorë më bën gazetar sportiv, për çka kurrë nuk jam penduar. Do ta zgjidhja përsëri.
Një kohë ke punuar si gazetar i sportit, ndërsa në vitet e fundit punon si redaktor i sportit? Cila punë është me e vështire, ajo e gazetarit apo e redaktorit?
Ta them të drejtën, dikur kur punoja si gazetar, redaktor e kisha Valdet Hasanin, një djalosh i mrekullueshëm dhe profesionist i madh. Më vinte më lehtë sepse e dija sigurt se edhe nëse bëj ndonjë lëshim profesional, Valdeti nuk e lëshon. I jam shumë mirënjohës sepse kam mësuar shumë prej tij. Andaj, sot kur jam vet redaktor e kam shumë më të lehtë ta kryej detyrën time. Por, dua të theksoj diçka. Dikur kam punuar veç si gazetar, por tash e 10 vjet i bëj të dyja. Pozita e redaktorit nuk më heq dot nga shkrimet thuajse të përditshme autoriale. Natyrisht, kur je në pozitën e redaktorit përgjegjësia është e dyfishtë dhe thellësisht më e ndjeshme.
E ke pasur një karrierë pasur duke fituar edhe disa çmime te gazetarisë sportive, apo jo…?
Po, në fakt çmime për gazetari në Kosovë kanë filluar të ndahen vonë. Por, më mirë vonë se kurrë. Kam fituar çmime individuale nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës. Ato çmime nuk kanë farë peshe financiare, por për karrierë janë të mrekullueshme, shumë motivuese. Jam i lumtur që edhe në redaksi me mua, te kolegë tjerë kanë ardhur çmime, sidomos te Moral Pozhegu, me të cilin punojmë bashkë qe shumë vjet. Edhe kemi fituar bashkë.
Disa herë jeni përzgjedhur si gazetar i vetëm në Kosovë nga FIFA për të votuar për futbollistin më të mirë në FIFA, si është për ty kjo eksperience…?
Është një eksperiencë tejet e mirë. Kam votuar vit pas viti prejse është anëtarësuar Kosova në FIFA. Është ndjenjë e mirë kur e din se po voton për yjet e futbollit si Messi, Ronaldo, Benzema, etj, etj, të cilët i përcjell një vit, e në fund ke mundësi edhe të votosh për më të mirin në botë. Po ashtu, për trajner, golashënues, etj. Është një kënaqësi.
Ke punuar në gazeta të printuara, në portale, në televizion, por ke edhe eksperiencë nga radio. Cila pjesë e gazetarisë te është dukur me e përshtatshme, qe je ndje më se miri, me rehat apo më komod?
Padyshim, në gazetarinë e shkruar, në gazeta të printuara. Mundësia për të bërë gazetari më profesionale ka qenë më e madhe. Por, tani jeta dhe bota ka evoluar dhe shpejt e jemi përshtatur me trendin.
Cila është eksperienca më e madhe që keni pasur si gazetar sportiv?
Kam shumë, por kurrë nuk i harroj tri. Pjesëmarrja ime në Kongresin e UEFA-s në Budapest, ku Kosova shkroi historinë duke e thyer izolimin shumëvjeçar duke u pranuar në UEFA. Kam përcjell edhe shumë ngjarje tjera, edhe finale evropiane, por me emocione të veçanta i kam ndjekur edhe ndeshjet Shqipëri – Serbi dhe Shqipëri – Zvicër, për të cilën luanin yjet Shaqiri, Xhaka, etj, kundër mëmëdheut, në Kampionatin Evropian të mbajtur në Francë. Loja luhej në Lens.
Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha që keni hasur si redaktor i sportit?
Janë të shumta, sa që nuk di as ka t’ia fillojë. Ndonjëherë kur i kujtoj më duket vetja si një 100-vjeçar (qeshë). Në gazetari thuajse çdo ditë është sfidë.
Me këtë rast e falënderoj gjithnjë edhe bashkëshorten time, Besën, e cila më përkrahë dhe më mirëkupton kur ndonjëherë bashkë me Nurin dhe Janin më mbesin anash shkaku i fokusit maksimal që kërkohet shpesh në gazetari. Keqardhja ime konvertohet në mirëkuptim te Besa.
Çfarë këshille ke për gazetarët e rinj?
Nëse merreni me gazetari, mos prisni të pasuroheni shumë materialisht. Por, nëse e do gazetarinë, nëse e bën me dashuri, pasion, profesionalizëm, ndershmëri, do të jesh shumë i pasur shpirtërisht dhe me karrierë. Nëse nuk i ke këto, nuk preferohet marrja me gazetari.
A e sheh veten duke u marre me gazetari?
Padyshim. Ende nuk e kam paramenduar veten jashtë gazetarisë.