Përse luftuam ne?! nga Metush Zenuni

SYRI TV

UÇK-ja, pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si forcë ushtarake, lindi nga LPK, Lëvizja Popullore e Kosovës, organizata politiko- ushtarake më e suksesshme jo vetëm në Ballkanin Jug-lindorë, por si organizata më e suksesshme në botë, në tri dekadat e fundit të shekullit XX. Veçanërisht pas Daytonit, kur fati ynë nuk po trajtohej nga askush, LPK krijoi UÇK-në, e cila fillimisht ishte e vogël, me pak ushtar në tri baza kryesore guerile: Prekaz- Gllogjan dhe Orllan të Llapit, pa emër UÇK.

Rënia e Jasharajve dhe zgjerimi i radhëve të UÇK-së, i mundësuan LPK-së të rrisë organizimin e rregullt ushtarak, të forcojë Fondin e saj, të krijojë Grupit Diplomatik të LPK -së jashtë vendit, logjistikën dhe sektorin e veçantë operativ!

Gjatë luftës, ndonëse me probleme të mëdha politike, financiare e logjistike, armiqtë e lirisë së Kosovës, për të penguar rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krijoi oponentët e saj FARK-un, një ushtri fantome me qendër në Laprakë të Tiranës, e cila nuk luftonte kundër Serbisë, por kundër LPK-UÇK-së. Ky dualizëm politik e ushtarak i shqiptarëve të Kosovës, në Prishtinë, në Tiranë dhe shtetet perëndimore e Skandinavi, e hutonte qytetarin e rëndomtë, i hutonte atdhetarët e sinqertë që ishin të gatshëm për të luftuar për liri. Pos FARK-ut dhe LDK-së, ishte edhe një kolonë tjetër shqipfolësish, të cilët për interesa të fëlliqura personale, u bënë bashkëpunëtorë të pushtuesit serb, spiunonin dhe përcillnin atdhetar, veprimtar të LPK-UÇK-së.

Të gjitha këto kategori sabotatorësh të luftës çlirimtare, UÇK, i shihte dhe i vërente rrotull saj, bile kishte edhe të tillë që futeshin në radhët e sajë, me mision kundër shqiptar. Për shkak të mobilizimit të përgjithshëm, UÇK nuk mori masa kundër tyre, përkundrazi, shumë spiun i futën në radhët e UÇK-së, e disa prej tyre edhe ranë dëshmorë. Ky momentum i ri politik dhe ushtarak solli me vete edhe një pështjellim të madh në radhët e UÇK-së, askush nuk dihej kush e çka është. Familjarët e spiunit të deridjeshëm mbaheshin për atdhetar, sepse ishin të afërt të dëshmorit, ndërsa shumë idealist e ish – të burgosur politik, fyheshin e etiketoheshin nga të parët. Megjithatë, idealistet e atdhetarët kishin një parim sublim gjatë luftës, i cili parim u bënte më të lehtë qëndresën. Ata e dinin mirë se ideali i tyre nuk u shërbente vetëm atyre, as vetëm familjeve të tyre, por se ata po luftonin edhe për lirinë e sabotatorëve, spiunëve dhe ish spiunë të vjetër. Ata edhe pas luftës nuk i dënuan ish dhunuesit e tyre nëpër burgje, as spiunët e sotshëm që i përcillnin këmba – këmbës, sepse ata e dinin se lufta e tyre për liri, i shërbente popullit, lirisë së tij, i shërbente edhe sabotatorëve, sepse ata nuk ishin në nivelin e vetëdijes për të luftuar për lirinë kolektive e as për lirinë individuale.

Fatkeqësisht, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor 1999, kur populli festonte bashkë me çlirimtarët e bashkë me spiunët çlirimin e tyre nga pushtuesi shekullorë, në Kosovë ia mësyn qindra shërbime të huaja sekrete, që nga shtetet aleate perëndimore, e deri në shtetet aziatike arabe. Kosova tani u bë një shtet internacional ku nuk dihej se sa shkonte fasulja, nuk dihej se kush ishte e nga ishte. Për pasojë u krijuan sekte fetare e nën fetare, grupe të ndryshme e shërbime kundër shqiptare.

Këtë kaos internacional, më së miri e shfrytëzoi shërbimi sekret serb, i cili gjatë luftës kishte dështuar me propagandën e tij kundër shqiptare, por tani në „ paqe“ po mundohej të rikthejë atë që e kishte humbur në luftë. Ajo, në bashkëpunim me shërbimin sekret Ruso – Arab punoi në dy fusha:

  1. E para, futjen e sa më shumë sekteve të islamit, ndërtimin e xhamive në çdo fshat të Kosovës, për të treguar para botës gjoja identitetin islam të shqiptarëve, ndërsa e dyta,
  2. Shërbimi Ruso- Serbo – Francez, hulumtonte ish spiunët e Serbisë para dhe gjatë lufte, u premtonte atyre para dhe shërbime tjera financiare, vetëm e vetëm për ta dështuar nga brenda shtetin e sapo çliruar të Kosovës. Të njëjtën gjë, këto shërbime e hulumtonin edhe tek diplomatët perëndimorë, të cilëve u jepnin favore të mëdha, si kompensim kontributin e tyre kundër Kosovës, në Kancelaritë Evropiane.

Të gjitha këto shërbime sekrete, arritën që të ndiqen e burgosen qindra ushtar të UÇK-së në Bondstil, në policinë e UNMIK-ut, më vonë të EULEXI-it, në Hagë, në Colmare e ku jo tjetër.

Kulmi i komplotit anti shqiptar ishte ideja për krijimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, dhe detyrimi i institucioneve të Kosovës, që gjykata të krijohet vetë nga shqiptarët, me votën e tyre.

Fatkeqësisht, kjo Gjykatë tani ka arritur ti ketë mbi 300 -dëshmitar të saj, të atillë që janë të gatshëm të shesin atdheun e tyre, pa e llogaritur dëmin historik që i shkaktohet atij!

Këtë tragjedi kombëtare dhe këtë degradim aq të madh të Kosovës, është vështir ta kualifikosh, është vështirë të nxjerrësh përfundime dhe të provosh daljen nga rruga pa krye. E kanë të vështirë edhe psikologët të dalin me përfundime e hipoteza, pse ka ndodhur kjo katrahurë?!

Megjithatë duke u bazuar nga e kaluara, si historian besoj se edhe kjo fazë do të jetë e shkurtër, ani pse nuk do të kalojë pa pasoja dhe se kombi shqiptar, një ditë do të gjejë rrugën e tij të bashkimit, të zhvillimit dhe prosperitetit, krah shteteve Evropiane, aty ku po synon të rikthehet përsëri, thuaja pas më shumë se 600- vjetësh, që nga epoka e Gjergj Kastriotit!

Metush Zenuni, veprimtar i LPK-së dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së!

08.04.2023.