Von Cramon “Gozhdon” eurodeputeten franceze që e quajti ‘çmenduri’ heqjen e vizave për Kosovën: Për fat, shumica e PE’së e mbështetë

SYRI TV

Von Cramon «Gozhdon» eurodeputeten franceze që e quajti ‹çmenduri› heqjen e vizave për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar ndaj eurodeputetes franceze Dominique Bilde, e cila kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave.

Cramon me anë të një postimi në twitter, ka shkruar se pjesa më e madhe e Parlamentit Evropian mbështet Kosovën.

Derisa ajo shtoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

«Për fat të mirë, shumica e kolegëve tanë në Parlamentin Evropian janë të informuar dhe e mbështesin Kosovën në përpjekjen për të bashkëpunuar me BE-në», ka shkruar Cramon.

«Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj meritojnë, si të gjithë evropianët e tjerë, të lëvizin lirshëm», shtoi ajo.

Eurodeputetja franceze, Dominique Bilde, ka kundërshtuar liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ajo shkon aq larg sa e quan çmenduri dhe se refuzojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Kosovë.

«Kosova ishte në program këtë javë në Parlamentin Evropian në Francë. Ne refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre! Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Grupi i Identitetit dhe Demokracisë – Francë thotë JO», ka shkruar ajo në Twitter.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.

Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.

Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Burimet diplomatike vazhdojnë të thonë se, pa marrë parasysh se a do të përmendet apo jo formalisht në ndonjë deklaratë nga BE-ja, çështja e liberalizimit nuk përjashtohet që të zhbllokohet dhe të nisë procesi në grupet përkatëse punuese të BE-së.

Por, kjo është një procedurë që zgjat dhe nuk mund të paragjykohet afati kohor se kur do të mund të ndodhë.