Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

SYRI TV
Doruntina Baliu

Kosova ka aplikuar të enjten, për t’u bërë anëtare e Këshillit e Evropës, ka konfirmuar Sharr Jakupi, shef i kabinetit të ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.

Në një postim në Twitter, ai ka thënë se “ministrja Gërvalla sapo ka përfunduar takimet në Këshillin e Evropës, ku ka dorëzuar personalisht aplikimin.

“Mund të konfirmoj: Qeveria e Republikës së Kosovës ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës të enjten fillimisht ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas njoftimit të Qeverisë, me këtë vendim Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës obligohet që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Roli i Këshillit të Evropës në raport me Kosovën është më i njohur për publikun kosovar për shkak të një raporti që i është dorëzuar këtij institucioni në vitin 2010, ku përmenden krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”, në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Autor i këtij raporti ishte ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty.

Pohimet e Dick Martyt u hetuan nga një prokuror amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, deklaroi se një ekip special i hetuesve “erdhi në përfundime të pakontestueshme për ngritje të akuzave për krime lufte ndaj individëve që kanë drejtuar me ish UÇK-në, por nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh”.

Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.

Në këtë gjykatë deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dheJakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.