Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të mirëpres në një takim vëllazëror Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Bajram Begaj.
Ky takim ishte në vazhdën e forcimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Preshevës dhe Republikës së Shqipërisë.
Vizita e sotme e Presidentit Begaj ishte paralajmëruar që më 12 mars të këtij viti në Tiranë, gjatë takimit tonë të parë në Presidencën e Republikës së Shqipërisë.
Fillimisht, në emër të të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e falënderova edhe një herë Presidentin Begaj për ngritjen e çështjes së Luginës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e Tij të mbajtur më 25 shtator të vitit të kaluar, Presidenti Begaj, në emër të Republikës së Shqipërisë, kërkoi që të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të kësaj treve të respektohen.
Ai theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të diskriminohen, por të trajtohen me dinjitet dhe të integrohen në mënyrë të barabartë.

Vizitën e sotme të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nuk mund ta shohim vetëm si një vizitë zyrtare. Ajo është një mesazh i fuqishëm se Presheva, e në përgjithësi Lugina e Preshevës, janë pjesë e pandashme e botës shqiptare dhe se ky rajon mbetet në vëmendjen e vazhdueshme kombëtare dhe institucionale të Republikës së Shqipërisë.
Kjo për ne ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët në këtë trevë.
Me Presidentin Begaj biseduam gjerësisht për problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pasivizimi selektiv i adresave ishte një nga temat kryesore të diskutimit.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte mungesa e investimeve shtetërore në infrastrukturë, veçanërisht në arsim.
Shembulli më domethënës është gjendja në Shkollën Fillore «Prof. Ibrahim Kelmendi» në Preshevë, e cila, përveçse është shkolla më e madhe në Serbi, përfaqëson edhe simbolin e arsimit shqip në Luginën e Preshevës.
Në këtë drejtim, kërkova nga Presidenti Begaj që, përmes autoritetit të Tij, të vazhdojë avokimin pranë institucioneve ndërkombëtare dhe autoriteteve në Beograd, në mënyrë që kjo shkollë të mos mbetet më në harresë e neglizhencë, por të marrë vëmendjen që meriton, sepse pikërisht aty hedhin hapat e parë drejt dijes dhe edukimit brezat e rinj të shqiptarëve të kësaj treve.
Presidentit Begaj ia shpreha edhe shqetësimin e të rinjve shqiptarë lidhur me riaktivizimin e diskutimeve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Ky zhvillim po krijon ndjenjë pasigurie dhe frike te qytetarët tanë, sidomos duke pasur parasysh kujtimet ende të freskëta të ngjarjeve tragjike që përjetuan shumë të rinj shqiptarë gjatë shërbimit ushtarak në vitet ’90.
Duke e falënderuar Presidentin Begaj për vizitën e sotme, si dhe për praninë dhe mbështetjen e Tij në edicionin e dytë të Panairit të Librit në Preshevë, u dakorduam që komunikimi dhe bashkëpunimi rreth çështjeve me interes për shqiptarët e Luginës së Preshevës të jetë i vazhdueshëm dhe i përhershëm.
Kjo vizitë nuk është fundi i një etape, por një hap i ri në forcimin e lidhjeve tona ndërinstitucionale dhe një dëshmi se Presheva dhe Lugina e Preshevës nuk janë vetëm pjesë e hartës shqiptare, por edhe pjesë e pandashme e kujdesit, përgjegjësisë dhe vëmendjes sonë të përbashkët kombëtare.