UNIONI I KLUBEVE SHQIPTARE TË FUTBOLLIT NË ZVICËR ZHVILLON VIZITË ZYRTARE NË KOMUNËN E RAHOVECIT

Syri

Forcohet bashkëpunimi mes mërgatës sportive, institucioneve vendore dhe FFK‑së

Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në komunën e Rahovecit, në kuadër të një nisme të re për forcimin e bashkëpunimit mes mërgatës sportive dhe institucioneve të futbollit në Kosovë. Delegacioni i Unionit, i kryesuar nga Feti Demolli, kryetar, dhe Reshit Morina, nënkryetar, u prit nga kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me të cilin u diskutua për zhvillimin e futbollit në nivel lokal, sfidat infrastrukturore dhe mundësitë e mbështetjes së ndërsjellë.

Gjatë takimit, kryetari Latifi vlerësoi rolin e mërgatës në ruajtjen e lidhjes me vendlindjen përmes sportit, duke theksuar se klubet shqiptare në Zvicër janë një urë e fortë bashkëpunimi dhe identiteti. Ai falënderoi Unionin për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar klubeve të komunës së Rahovecit me pajisje dhe rekuizita sportive, duke e cilësuar këtë si një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit vendor.

Gjatë takimit, kryetari Latifi vlerësoi edhe bashkëpunimin me kryetarin e rizgjedhur të Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, duke theksuar rolin e tij në mbështetjen e komunave dhe investimet e FFK‑së në infrastrukturën sportive në Rahovec dhe zonat përreth.

Delegacioni i Unionit vizitoi disa prej investimeve të realizuara nga Federata e Futbollit të Kosovës, përfshirë fushën sintetike në Rahovec, një fushë stërvitore në Ratkoc, si dhe fushat me bari natyral në Xërxë dhe Dejnë. Këto vizita u zhvilluan në koordinim me drejtues të FFK‑së, të cilët kanë shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të mbështetur projektet e mërgatës dhe bashkëpunimin me klubet shqiptare në Zvicër.

Në orët e pasdites, delegacioni u takua me stafin e KF Anadrini, klub me qendër në Ratkoc, i cili menaxhon rreth 130 futbollistë të të gjitha grupmoshave. Trajneri i klubit, Xhafer Bytyqi, informoi drejtuesit e Unionit për sfidat infrastrukturore me të cilat përballet klubi, si dhe për angazhimin e tyre në garat rajonale: ekipi i parë në Ligën e Tretë të Dukagjinit dhe grupmoshat U11, U13, U15 në Regjionin e Gjakovës, ndërsa brenda klubit funksionojnë edhe ekipet U17 dhe U9.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi mes Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, FFK‑së dhe komunave të Kosovës, me synim forcimin e futbollit bazë, rritjen e cilësisë së punës me të rinjtë dhe afrimin e mërgatës me zhvillimet sportive në vendlindje.