Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, njofton se Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kamberi, ka shprehur mirënjohje të veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, “për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA”.
“Përpjekje, durim, këmbëngulje dhe besim që nga viti 2001 nën përkrahjen e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, deri te përkrahja e komunitetit shqiptar në Texas, veçanërisht përmes Albanians For America”, shkruan Kamberi.
“Një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses”, është shprehur ai.
Tutje Kamberi shkruan se, “Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.