Ramiz Ladrovci: Drenasi është lidhur nyje në fytin e keqbërësve

SYRI TV
Fushata zgjedhore po e dëshmon fokusin e një lidershipit me intensitetin të lartë të vizitave në “pikën e nxehtë”.
Drenasi është bërë epiqendër e vizitave të pandërprera të krerëve të një partie dhe me përgjegjësi e them se është “pikë e nxehtë” dhe vendimtare për fatin e tyre të mëtejmë politik. Fotot e tubimeve të bedelëve flasin vet, takime të zbehta, me më shumë deputetë e anëtarë kryesie se sa qytetarë, të ngrysur si në mort.
Vrulli brutal i keqbërësve për ta “fituar” betejën në Drenas, deri më sot është pa asnjë efekt. Qytetari nëpërmjet tubimeve, deklarimeve dhe përkrahjes është kundër vendimeve të padrejta në PDK, e kundërshtojnë fyerjen se garën në Drenas e fiton logoja me “Dadën Razë”.
Beteja e lidershipit aktual të PDK-së për Drenasin, po dëshmohet se nuk ka të bëj vetëm me bedelin, por me fatin e vet, me profilin e një ekipi që operon me të pavërteta. E pavërtetë e madhe është sikur për këto vendime të padrejta e kanë rekomandimin “nga lartë”. Ky mashtrim, po vije me protagonistë që i thurin njëri-tjetrit lëvdata pa asnjë konsideratë për qytetarin dhe bastionet.
Ata “lartë”, kanë halle më të mëdha se sa egot e disa “liderëve”, madje, ata janë të dëshpëruar me veprimet e pamatura dhe tendencën e goditjes së personaliteteve më të dëshmuara të PDK-së që nuk përkulen e nuk janë puthadorë. vetë operimi me termin “rekomandim”, dëshmon qartë se ju mungon edhe ndjeshmëria për kohën të cilën po e kalon vendi dhe bastionet e PDK-së.
E shtroj një pyetje së pari për veten, cili qenka sot në garë më kontributdhënës për pushtetin lokal dhe për shtetin nga themelimi i PDK-së e deri më sot? Nga kjo pyetje, del përgjigja nga qytetarët, tashmë, me dimension tjetër – përkrahje e qytetarëve si asnjë herë më parë “Për Drenasin Kampion” dhe përkrahje e papritur nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë.
Në Drenasin mikpritës, qytetarët krenar e dinjtoz do të votojnë me sy hapur, dy sy do t’i bëjnë katër që të mos lejojnë devijimin e vullnetit qytetar dhe mashtrimin “logo me Dadën Razë”. Ata do ta vlerësojnë punën e kryetarit kampion të performancës, zbatimin e ligjit, barazinë para ligjit, mundësitë e gjasat e barabarta, me 101 arsye “Për Drenasin Kampion”!
Pa asnjë dyshim, Drenasi është lidhur nyje në fytin e keqbërësve, prandaj fitoren e shohin si shansin e fundit për ta shpëtuar karrierën e vet. Ata janë të bashkuar dhe nuk ndalen me tubime, vizita, shantazhe, premtime, dhurata, punësime e manipulime të njohura të kutive të votimit për ta devijuar vullnetin qytetar në Drenas. Më 12 Tetor do të dihet se kush është PDK, kampioni apo bedeli.