Plenkoviç kritikon BE-në që e kaloi sikur “nuk ndodhi asgjë” sulmin në Banjskë

SYRI TV

Kryeministri i Kroacisë kritikon mungesën e reagimit serioz nga Bashkimi Evropian për sulmin e armatosur serb në Banjskë në vitin 2023.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka deklaruar të hënën në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni se sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të  Kosovës s’e ka marrë vëmendjen e duhur nga Bashkimi Evropian, liderët e së cilës e kaluan pa ndonjë vërejtje serioze për Serbinë.

“Banjska kaloi pa asnjë vërejtje serioze në vitin 2023. Nga askush në BE. Ne u bëmë sikur [sulmi] nuk kishte ndodhur”, theksoi Plenkoviç duke komentuar problemet e politikës së zgjerimit të BE-së. Ai shtoi se ngadalësimi i procesit të anëtarësimit zgjeron hapësirën për ndikimin e aktorëve të jashtëm në Ballkanin Perëndimor.

Kosova më 24 shtator shënon dy-vjetorin e sulmit në Banjskë, një ngjarje që cenoi sigurinë dhe stabilitetin rajonal. E përgjegjësinë për sulmin nga i cili humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Serbisë.

BE-ja i ka bërë disa herë thirrje Serbisë që t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në Banjskë. Vendet anëtare në BE-së në dhjetor të vitit 2023 nuk ishin pajtuar se Serbia i ka përmbushur kushtet për të hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit, duke e lidhur këtë me Banjskën.

Ndryshe, disa prej personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për sulmin terrorist në Banjskë – ose të paktën njëri prej tyre – dhe që janë në kërkim nga autoritetet kosovare, janë parë së fundmi në një prej protestave në qendër të Beogradit shkruan Albanianpost

Armat Matoshi