Marta Kos ka deklaruar se Serbia nuk mund të avancojë drejt anëtarësimit në BE pa përmbushur reformat e kërkuara
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se Serbia nuk mund të avancojë drejt anëtarësimit në BE pa përmbushur reformat e kërkuara dhe pa treguar përkushtim real.
Në një intervistë për televizionin publik slloven, Kos theksoi se Brukseli ka një qëndrim të qartë: rruga evropiane nuk është vetëm deklarative, por kërkon rezultate konkrete.
“Komisioni Evropian dëshiron që Serbia të vazhdojë rrugëtimin evropian, por nuk mjafton që këtë ta duam vetëm ne – përgjegjësia është tek Serbia,” tha ajo, duke shtuar se anëtarësimi kërkon angazhim të sinqertë dhe reforma të thella.
Kos tha se është në kontakt të vazhdueshëm me shoqërinë civile në Serbi, e cila, sipas saj, ndjehet e braktisur dhe e zhgënjyer nga procesi i integrimit dhe qëndrimet e pasigurta të liderëve evropianë ndaj Beogradit.
Sa i përket buxhetit të BE-së për zgjerim, Komisionerja konfirmoi se janë ndarë fonde të mjaftueshme për vendet kandidate, por theksoi se shpërndarja e tyre do të varet nga përparimi real në reforma.
Ajo përmendi gjithashtu se 100 miliardë euro janë rezervuar për Ukrainën – si për integrimin evropian, ashtu edhe për procesin e rindërtimit pas luftës.