Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur me 161 mijë e 500 franga zvicerane për shkak të një vendimi disiplinor nga FIFA në lidhje me ndeshjen Shqipëri Serbi që përfundoi pa fitues ‘Air Albania’
FIFA ka vendosur të dënojë FSHF-në me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe ka urdhëruar që ndeshja e radhës në shtëpi, ndaj Letonisë, të zhvillohet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, njofton FSHF.
“Ky vendim vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarresh, përdorim gjestesh apo mesazhesh të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë intonimit të himneve kombëtare” – thuhet në njoftimin e FSHF-së.
“Ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren. FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë” – thuhet në njoftim.
“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton,” thuhet në reagimin e FSHF-së.