Dua të ndaj me ju zhvillime shumë domethënëse nga Parlamenti Evropian, të cilat prekin drejtpërdrejt të ardhmen dhe të drejtat tona në Luginën e Preshevës. Rezoluta e Parlamentit Evropian e datës «7 Maj 2025» mbi raportet e Komisionit për Serbinë (2023 dhe 2024) (dokumenti P10_TA(2025)0093) përmban kërkesa dhe vërejtje të qarta për Serbinë, veçanërisht në lidhje me të drejtat e pakicave kombëtare.
Në këtë rezolutë të rëndësishme, Parlamenti Evropian:

Shpreh shqetësim të ripërsëritur në lidhje me zbatimin kufizues dhe arbitrar të Ligjit për Vendbanimin e Përhershëm dhe të Përkohshëm lidhur me Pasivizimin e adresave të mijëra shqiptarëve në jug të Serbisë (Pika 47). Kjo është një çështje jetike për komunitetin tonë!

Thekson nevojën për një «angazhim të fortë për të mbrojtur të drejtat e pakicave kombëtare», duke siguruar përfaqësimin e tyre të plotë në të gjitha nivelet e qeverisjes, ruajtjen e identitetit kulturor përmes përdorimit të gjuhëve të tyre dhe përmbushjen e nevojave arsimore (Pika 46).

I bën thirrje Serbisë të mbrojë dhe promovojë trashëgiminë kulturore dhe traditat e pakicave të saj kombëtare, veçanërisht të krijojë një atmosferë pozitive për «arsimin në gjuhët minoritare, duke përfshirë sigurimin e një numri të mjaftueshëm mësuesish, tekstesh shkollore dhe materialesh shtesë» dhe dënon shkeljen e të drejtave të pakicave në këtë fushë (Pika 46).

U bën thirrje autoriteteve serbe të zgjerojnë disponueshmërinë e «shërbimeve të transmetimit publik në të gjitha gjuhët minoritare» në të gjithë vendin, duke siguruar qasje të barabartë në media për të gjitha komunitetet (Pika 38).

Shpreh keqardhje që pothuajse të gjitha pakicat kombëtare mbrohen «vetëm formalisht» dhe shpreh shqetësime për praktikën e përfaqësimit pro forma të pakicave kombëtare që janë nën kontrollin e qeverisë (Pika 46).

Vëren vonesën e konsiderueshme në hartimin e një plani të ri veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe thekson nevojën urgjente që Serbia ta finalizojë dhe zbatojë atë menjëherë (Pika 46).

Nenvizon faktin se respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare është një kusht thelbësor për përparimin e Serbisë në rrugën e saj evropiane (Pika 50).
Ky dokument nga institucioni më i lartë legjislativ i BE-së rikonfirmon se zëri ynë po dëgjohet dhe se sfidat me të cilat përballemi janë të njohura qartë në Bruksel. Presioni ndaj Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj ndaj pakicave, përfshirë shqiptarët në Luginën e Preshevës, po rritet.
Ne mirëpresim këtë rezolutë dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Serbisë të trajtojë me seriozitetin maksimal këto gjetje dhe rekomandime. Zbatimi i plotë i të drejtave tona nuk është vetëm një kërkesë e BE-së, por një domosdoshmëri për një shoqëri demokratike dhe të barabartë.
Rruga jonë për drejtësi dhe barazi është e gjatë, por me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe me vendosmërinë tonë të palëkundur, ne do të vazhdojmë të kërkojmë atë që na takon.
Faleminderit anëtarëve të Parlamentit Evropian për këtë qëndrim parimor!