Vedat Muriqi kishte shënuar ndaj Osasunës nga penalltia dy xhiro më parë duke i dhënë fund serisë së zezë pa gola dhe duke i heshtur sadopak kritikët.
E futbollisti kosovar e përmirësoi imazhin e këtij sezoni edhe mbrëmë me dy gola të shënuar në pjesën e parë kundër Las Palmas, për ta ngritur në 6 numrin e golave të realizuar në këtë sezon.
Sulmuesi prizrenas ndihet i lumtur për rikthimin e formës, ndërsa uron që kjo të vazhdojë deri në fund të sezonit.
“Në këtë moment, nuk ka njeri më të lumtur në botë sesa unë. I shënova dy gola dhe ekipi e fitoi lojën. Do të punoj shumë gjatë javës në tentim për të shënuar edhe në ndeshjen e ardhshme”, deklaroi 30 vjeçari pas ndeshjes.
Muriqi foli edhe për paraqitjen e ekipit, i cili e gjeti fitoren me rezultat 3:1 ndaj Las Palmas, duke i dhënë fund formës së zbehtë të ndeshjeve të fundit.
“Ne luajtëm mjaft mirë në pjesën e parë, me dhe pa top. Më pas vuajtëm paksa në pjesën e dytë. E dinim se duhej të fitonim me çdo kusht. Duke luajtur mirë apo dobët, nuk ka rëndësi për mua: unë vetëm dua të fitonim dhe ta ndalnim serinë e humbjeve sa më shpejt të ishte e mundur”, përfundoi ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes dhe Lazios.
Përkundër vështirësive me të cilat u përball, gjashtë golat e këtij edicioni iu afruan atyre të sezonit të kaluar, kur i realizonte shtatë sosh.
Muriqi i ka në dispozicion edhe 14 xhiro për t’i përmirësuar statistikat dhe ai uron të vazhdojë më formë të njëjtë si në xhirot e fundit.