Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar në rrjete sociale, se qeveria ka marrë vendim me të cilin shtetasit e Bosnjes mund të udhëtojnë në Kosovë me letërnjoftim.
Ai ka thënë se ky vendim mund t’i rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.
Postimi:
Qeveria mbrëmë mori vendimin tashmë të paralajmëruar me të cilin shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Republikës sonë.
Në nëntor janë bërë dy vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Vendi ynë ishte i pari që e kishte ratifikuar këtë marrëveshje në parlament.
Bllokada nga entiteti i Republikës Srpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnje dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnje dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes. Ne kemi besim se ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.