Serbia po e pengon një donacion të Qeverisë për bujqit në Luginë – apelon te BE, QUINT dhe OSBE

SYRI TV

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se autoritetet serbe kanë ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, akt të cilin e kanë dënuar ashpër.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, ai tha se ky donacion “synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë”.

Ndryshe Bislimi ka shtuar se më 26 tetor Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime, mirëpo sot Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike.

“Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës.”

Bislimi  tutje ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë të pengojë mbështetjen e Kosovës për shqiptarët e Luginës, teksa i ka bërë thirrje BE’së, OSBE’së dhe shteteve të QUINT’it që ta monitorojnë këtë situatë.

“Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor.”, ka shkruar më tej Bislimi./Gazeta Infokus/

Më poshtë mund të gjeni postimin e tij të plotë: