Në Samitin e Berlinit, Kurti kërkon që Kosovës t’i jepet statusi kandidatit për BE

SYRI TV

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para liderëve të tjerë në Samitin e Berlinit ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit të Bashkimit Europian.

Kështu e ka përmbyllur fjalën e tij para liderëve të pranishëm në Samitin e Berlinit, duke përmendur që pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE.

“Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit”- ka thënë ai, duke shtuar se në 3.5 vjetët e fundit, Kosova ka shënuar “rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë”.

Kurti i ka prezantuar 10 pika të ndryshme në lidhje me Procesin e Berlinit, në mesin e tyre edhe heqjen e vizave për mbajtësit e dokumenteve indentifikuese të Bosnjës dhe Hercegovinës për të hyrë në Kosovë.

Ndër tjera, Kurti ka thënë se lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina.

Kurti tha se Kina ka investuar thellë në Serbi duke iu referuar si “fqinji jonë verior”, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën.

Gjatë prezantimit, Kurti ka thënë se BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – “është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo “Procesi i Pekinit”, i cili çon drejt BRICS-it”.

Kurti tha se Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi.

“Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit”- tha ai, më 14.10.2024.

Duke thurur lavde për Procesin e Berlinit, Kurti tha se përgjatë një dekade, në Procesin e Berlinit është shënuar progres domethënës, por se nevojiten më shumë veprime.

“Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë”- shtoi ai. Shkruan Kallxo.com