Mersim Zeqiri i vendosur për fitore me 20 korrik në Garanë

SYRI TV

Boksieri i pamposhtur shqiptar, Mersim Zeqiri është duke u përgatitur intensivisht tash e sa muaj për atë që mund të jetë meçi më i rëndësishëm i tij që kur është bërë boksier profesionist.

Zeqiri do ta zhvillojë këtë të shtunë një meç mjaft të rëndësishëm dhe special për karrierën e tij.

Atë e ndajnë pak ditë nga meçi me kampionin venezuelas, Gregorio Dominguez.

Zeqiri, i cili jeton në Zvicër, dëshiron t’i gëzojë krejt shqiptarët dhe tifozët e tij anembanë botës me një paraqitje spektakolare të shtunën mbrëma në mbrëmjen gala të boksit, “Garana Fight Night”.

“Edhe pak ditë na ndajnë nga eventi i madh ‘Garana Fight Night’. Mezi pres të ngjitem në ring”, ka shkruar Zeqiri, i cili po mbështetet nga promotori, Dyli Salihu, por edhe nga sponsorët, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht dhe janë gati të ndihmojnë në organizimin e kësaj gala-mbrëmjeje, ku do t’i shohim 7 meçe gladiatore, e kryesorja padyshim do të jetë ajo mes Zeqirit dhe Dominguezit.

Për vetëm një vit karrierë në boksin profesionist, Mersim Zeqirit po i jepet mundësia të luftojë për dy tituj internacionalë, UBO e UBF.

Me një fitore eventuale më 20 korrik në vendlindjen e tij, Garanë e Kërçovës në Maqedoninë e Veriut, boksierit me banim në Zvicër do t’i hapeshin dyert që në të ardhmen të luftojë edhe në evente të mëdha botërore.