Valon Behrami e ka vlerësuar lart paraqitjen e Zvicrës ndaj Gjermanisë, përkundër barazimit 1:1. Në kolumnen e tij të rregullt për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Behrami ka shkruar në superlativ për helvetikët.
Ai ka luajtur gjatë për Zvicrën dhe me sukses të madh. Mendimet e Behramit ende kanë ndikim në skenën zvicerane të futbollit.
«Zvicra për 99 për qind të kohës bëri ndeshje të përkryer ndaj Gjermanisë. Një përqind i mjafton një top-përfaqësueseje si Gjermania që të largohet me barazim. Shumë prej tifozëve e lojtarëve mund ta kenë ndier si humbje menjëherë pas fundit të ndeshjes, por nuk ka asnjë arsye për dëshpërim nga vendi i dytë në grup”, ka shkruar Behrami.
Zvicra në fazën nokaut paraqitet si e dyta e Grupit A. Grupin e ka fituar Gjermania, falë golit në minutat shtesë.