Më datë 28.05.2024, Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, dhe bashkëpunëtorët e tij takuan rrjetin e bizneseve shqiptare në Zvicrën qendrore në Luzern. Ky takim u organizua nga rrjeti i bizneseve shqiptare në Zvicër qendrore, nën drejtimin e kryetarit të tyre, z. Visar Robelli, dhe z. Flurim Useini, kryetar nderi i rrjetit.
Takimi u mbajt në ambientet e restorantit Kelly’s, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Ky takim solli së bashku personalitete të shquara nga fusha e politikës dhe biznesit, me qëllimin e nxitjes së bashkëpunimit dhe investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe biznesmenëve shqiptarë që operojnë në Zvicër. Diskutimet u fokusuan në mundësitë e zgjerimit të lidhjeve ekonomike dhe kulturore, si dhe në sfidat dhe mundësitë që paraqiten për investitorët në Kosovë.
Si konkluzion i takimit ishte mundësia e bashkëpunimit me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe organizimi i takimeve të përbashkëta në Kosovë në të gjitha rajonet zhvillimore. Pjesë e këtij takimi ishin edhe z.Valon Gashi – Ambasada e Shqipërisë, Shukrije Ramadani – Ambasada e Kosovës, Rexhep Demiri- Ambasador Maqedonia e Veriut dhe Udhëheqësi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih – Vigan Berisha
Intervistat audio vizuale të zhvilluara nga TV SYRI me të pranishmit do të ofrojnë një pasqyrë të thellë të pikëpamjeve dhe synimeve të ndryshme dhe hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, dhe do të kontribuojë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të sjellin përfitime për të dyja palët.