Goditet grupi kriminal shqiptaro-kubanez në Spanjë/ Sekuestrohet 1 ton kanabis, si e kishin fshehur drogën në shtëpi plazhi

SYRI TV

Pesë persona pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë është goditur në Valencia të Spanjës.

Garda Civile ka arrestuar 5 persona, mes tyre edhe kreu i organizatës, ndërsa 2 të tjerë po hetohen për organizatë kriminale dhe trafik droge, sipas medias së huaj.

Operacioni i quajtur ‘SERVANA’ filloi në nëntor të vitit të kaluar pasi kishte prova për kryerjen e një sërë krimesh nga një grup kriminal me bazë në zona të ndryshme të provincës së Valencias.

Hetuesit konstatuan se ishte një organizatë me origjinë shqiptare, e strukturuar në mënyrë perfekte dhe me një metodologji kriminale të mirëpërcaktuar.

Organizata ishte përgjegjëse për kultivimin intensiv të kanabis sativas. Disa nga anëtarët jetonin dhe kalonin natën në magazinat industriale ku kishin plantacionet.

Për të përshpejtuar rritjen e bimëve, ata përdorën materialin ndriçues të gjeneratës së fundit dhe kishin kondicionerë të mëdhenj për të shpërndarë erën. Ata kishin kryer lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik, duke gjeneruar humbje energjie prej më shumë se 900 amp.

Në fazën e parë, më 28 shkurt, u krye një kontroll në një magazinë industriale në Xeresa dhe një tjetër në një apartament në plazh në Gandía. Në një fazë të dytë, më 25 mars, u krye një kontroll tjetër në një magazinë industriale në qytetin e Rotovës.

Në total është sekuestruar pothuajse një ton kanabis sativa, ndërsa 308 kilogramë ishin në procesin e tharjes.

Në kontrollet e ndryshme janë sekuestruar edhe: në Xeresa (7 njësi industriale të klimatizimit, filtra karboni, ventilatorë, depozita, ndriçues etj., me vlerë 170 mijë euro), në Gandía (disa pajisje celulare, 2 mijë euro cash, një furgon dhe një makinë) dhe në Rótova (pajisje elektrike, kondicionerë industrialë, transformatorë të tensionit të mesëm dhe objekte portative të rritjes dhe tharjes së marijuanës, me një vlerë prej më shumë se 250 mijë euro).

Në total vlera e materialit të sekuestruar arrin në 420 mijë euro.

Autoriteti Gjyqësor urdhëroi masën arrest me burg për 3 prej tyre. Ata kanë kombësi shqiptare dhe kubaneze dhe janë nga 29 deri në 43 vjeç. Po hetohen edhe dy persona të tjerë, një burrë dhe një grua, me kombësi spanjolle të moshës 57 dhe 43 vjeç.

Ata akuzohen për krime kundër shëndetit, mashtrim me energjinë elektrike, falsifikim dokumentesh dhe anëtarësim në organizatë kriminale.