Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, dhe kapiteni, Amir Rrahmani, pranojnë se Hungaria është kundërshtare e vështirë për t’u mposhtur. Por Foda dhe Rrahmani besojnë se Kosova ka gjasat e saj në ndeshjen miqësore ndaj Hungarisë.
Ndeshja Hungari – Kosovë luhet të martën në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest nga ora 19:00.
Trajneri gjerman i Kosovës në konferencën për media tha se mezi pret përballjen ndaj hungarezëve në stadiumin që pritet të jetë i mbushur plotësisht.
“Jemi duke u përgatitur për ndeshje mjaft të rëndësishme. Kemi fituar ndaj Armenisë me epërsi minimale, por ka mundur të jetë fitore më e thellë. Megjithatë shënuam fitore, ndërsa tani na pret një ndeshje tjetër e rëndësishme. Mezi presim të paraqitemi në ndeshjen kundër Hungarisë në një stadium që pritet të jetë i mbushur”, ka thënë Foda.
Foda ka vlerësuar lojtarët e tij. Ka thënë se Kosova ka treguar paraqitje të mirë ndaj armenëve. Kosova e mposhti në Armeninë në Jeravan me rezultat 1:0, të premten.
“Nuk do të jetë e lehtë, luajmë kundër një ekipi shumë të fortë. Ne zhvilluam ndeshje të mirë ndaj Armenisë, kemi skuadër që ka aftësi teknike. Por do të jetë e vështirë përballja ndaj Hungarisë që udhëhiqet nga një trajner që ka treguar paraqitje të mira siç është Marco Rossi. Ne mbesim skuadër e fortë dhe kemi besim te grupi ynë”, është shprehur Foda.
Foda vlerësoi lartë Hungarinë. Ai është i kënaqur që përballë do ta kenë një kundërshtar të fortë.
“Ndeshja me Hungarinë ishte aranzhuar para se unë të bëhesha trajner i Kosovës. Por ne duhet të përballemi ndaj kundërshtarëve të tillë, pasi është niveli ku ne synojmë të arrijmë dhe të luajmë në të ardhmen. Ne kemi besim dhe do të luajmë me besim përballë Hungarisë”.
Kapiteni Rrahmani tha se për Kosovën është shumë me rëndësi testimi ndaj kundërshtarëve të fortë.
“Ndeshja ka rëndësi sepse është përgatitore për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Duhet të shohim se çka kërkon trajneri dhe të ndjekim planin e idetë e tij. Është ndeshje e rëndësishme. Na duhet kjo ndeshje, pasi luajmë kundër një kundërshtari shumë të fortë me lojtarë që luajnë në klube të forta evropiane. Shpresoj të paraqesim në fushë atë që trajneri kërkon”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani nuk luajti ndaj Armenisë. Ai u pushua por pritet të jetë gati për ndeshjen në Budapest. Rrahmani ka zbuluar pak nga filozofia e lojës që trajneri gjerman kërkon.
“Trajneri i ka idetë e veta dhe dëshiron të bëjmë presion të lartë në pjesën e fushës së kundërshtarit. Dhe nëse arrijmë ta fitojmë topin ta mbyllim aksionin, pasi në atë formë jemi më afër portës dhe mundësitë janë më të mëdha për të shënuar. Por kur humbasim topin, duhet të luajmë presing të shpejtë. Kjo është një pjesë e asaj që trajneri ka kërkuar nga ne”, ka thënë Rrahmani.
Kosova në qershor luan miqësoret e radhës, kurse në shtator fillon ciklin e ri në Ligën e Kombeve.