Në një atmosferë festive dhe emocionuese me mysafirë të shumtë, është mbajtur Gala Mbrëmja e Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët 2023” për të nderuar dhe shpërblyer lojtarët, trajnerët, klubet dhe personalitetet e rëndësishme të futbollit në Kosovë dhe jashtë për vitin që po e lëmë pas.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe zëvendës presidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, personalitete tjera nga institucionet, politika dhe nga komuniteti i futbollit dhe sportit në përgjithësi.
Presidenti Agim Ademi, në fjalimin para të pranishmëve falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e futbollit përgjatë vitit 2023 dhe jo vetëm, e të cilët kontribuuan në forma të ndryshme në zhvillimin dhe arritjet e futbollit kosovar, si dhe foli për sfidat dhe arritjet e futbollit gjatë kësaj periudhe.
Zëvendës presidenti i UEFA-s, Armand Duka duke falënderuar FFK-në që gjithmonë i jep mundësi të drejtohet të pranishmëve në këtë ceremoni.
“Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është si kurrë më parë, në të gjitha nivelet. Ne jemi të nderuar me FC Ballkanin që na ka përfaqësuar neve si rajon në tërësi në Evropë. Ndërkohë, rezultatet e Kombëtares padyshim do të vijnë edhe për Kombëtaren e Kosovës”, tha Duka.
Në këtë mbrëmje të veçantë u nderuan dhe u shpërblyen laureatët në kategori të ndryshme, duke filluar nga Shpresa e vitit, për të vazhduar te futbollistja më e mirë, klubi më i mirë i vajzave, lojtari më i mirë në fut sall, klubi më i mirë në fut sall, gjyqtari më i mirë, klubi më fair-play, klubi më i mirë, trajneri i vitit, golashënuesi më i mirë, Top 11-shja e Super ligës, futbollisti më i mirë i vitit i Superligës dhe për të mbërritur te çmimi “Fadil Vokrri” për futbollisti më i mirë i vitit.
Vlerësim i veçante ishte edhe për klubet shqiptare të futbollit në Zvicër dhe Gjermani si urë lidhje me FFK dhe vendlindjen.
Feti Demoli Kryetari i Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër i cili mori mirënjohje dhe u vlerësua lartë për angazhimin e UKSHFZ që ruajnë dhe bashkojnë futbollin shqiptarë në Zvicër.
Kryetari z.Feti Demoli personalisht por edhe në emër të kryesisë së UKSHFZ dhe të Klubeve Shqiptare në Zvicër, falënderoi FFK dhe Kryetarin Agim Ademi për mbështetjen institucionale ndaj UKSHFZ dhe klubeve shqiptare të futbollit.
Kryetari i UKSHFZ z. Feti Demoli për portalin tonë tha se tani pas liberalizimit të vizave kemi rast tejet ndryshe dhe FFK do të shqyrtojë mundësinë që finalja e Kupës së Kosovës në të ardhmen të zhvillohet edhe në Zvicër.